Lidhje

SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ligjin për rregulla të reja në industrinë e shpimeve për naftën në det


Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ligjin i cili mund të vendosë rregulla të reja në industrinë e shpimeve për naftën në det.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan me 209 vota pro dhe 193 kundër për ligjin e mbështetur nga demokratët, një votë e ndarë qartë në linja partiake.

Ligji, i cili tani kalon në Senat, do të heqë një shumë tavan prej 75 milionë dollarësh për dëmtimet e ndotjes nga nafta dhe vendosë një taksë të re ndaj kësaj industrie, për financimin e projekteve mbarëkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.

Ligji përballet me kundërshtime të ashpra në senat. Por nuk pritet që Senati të merret me këtë çështje deri në shtator.

Dje, drejtori i ri i BP tha se ka ardhur koha që të reduktohen operacionet për të pastruar Gjirin e Meksikës nga nafta, por ai theksoi gjithashtu angazhimin e kompanisë së tij për rikthimin e normalitetit në zonë.

Shefi i ri ekzekutiv i BP, Bob Dudley, ka filluar një fushatë për marrëdhënie publike para se të marrë zyrtarisht detyrën në tetor.

“Mirëpresim një komunikim më të thellë për të mësuar se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar qytetet tuaja dhe zonat bregdetare të ngrihen në këmbë”.

Zoti Dudley është i pari amerikan që kryeson këtë kompani nafte. BP ka emëruar një tjetër amerikan, James Lee Witt, për të ndihmuar përpjekjet e rimëkëmbjes. Zoti Witt ka qenë drejtor i Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave.

“Kam parë ankthin dhe dhimbjet e atyre që afektohen nga katastrofat. Kam parë nervozizmin. Nëse do kohë, angazhimi ynë do të vazhdojë, por shpresojmë se do ta realizojmë sa më shpejt dhe më mirë që është e mundur”.

Pusi i dëmtuar është mbyllur tani me një kapak të përkohshëm dhe Dudley thotë se BP po i redukton operacionet e pastrimit. Ai thotë se nuk parashikon që në brigje të ketë sasi nafte shtesë, por thotë se BP do të vazhdojë të ndihmojë përpjekjet për pastrim për vite me radhë.

“Kemi shkruar rreth 80 mijë çeqe, me vlerë mbi 250 milionë dollarë. E kam të qartë se nuk është perfekte, ka ende punë”. - thotë ai

Zoti Dudley zëvendëson shefin ekzekutiv të BP-së, Tony Hayward, i cili u kritikuar rëndë për reagimin ndaj problemit. Si rezultat, ligjvënësit amerikanë po marrin në shqyrtim ligjet dhe parametrat e sigurimit teknik për shpimet në det.

Ligjvënësi Ed Markey nga Massachussetts:

“Që nga fillimi, BP ka ndjekur një strategji improvizimi. BP tha se platforma nuk mund të fundoset, por u fundos. Ata thanë se mund të përballonin një katastrofë të përmasave të Exxon Valdezit, por nuk arritën”.

Ligjvënësit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e reformimit të agjencisë qeveritare që kontrollon kompanitë e naftës.

Ligjvënësi Nick Rahall përfaqëson Virxhinian Perëndimore:

“Kultura e marrëveshjeve miqësore, ku kontrollorët kërkonin vende pune në të njëjtat platforma që duhet të inspektonin. Planet e shpimeve që miratoheshin brenda pak minutash, me një analizë tepër sipërfaqësore të parametrave mjedisorë”.

BP parashikon se një pus i sapo-hapur do të zgjidhë përfundimisht problemin brenda muajit gusht.

XS
SM
MD
LG