Në Kosovë, policia bëri të ditur se një serb është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një incident të pasqaruar në Kosovën perëndimore.
Sipas policisë, Aleaksandër Putnik dhe i biri i tij Dobrica Putnik janë qëlluar më armë zjarri mbrëmë pas mesnate, kur po largoheshin nga një restorant, pronë e një shqiptari në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, rreth 60 kilometra në perëndim të Prishtinës.
Aleksandër Putnik ka ndërruar jetë, ndërsa i biri po trajtohet në spitalin e Prizrenit. Policia tha se ka kryer disa bastisje në këtë fshat, por nuk ka pasur të arrestuar.
Viktimat e incidentit janë banorë të fshatit Hoçë e Madhe të komunës së Rahovecit, një fshat i banuar me shumicë serbe.
Përfaqësues të strukturave politike të mbështetura nga Beogradi, fajësuan shqiptarët, duke kërkuar nga EULEX-i që të kryejë hetimet dhe të transferojë të plagosurin nga spitali i Prizrenit në veriun e Mitrovicës të banuat me shumicë serbe.
Policia tha se është vënë në përpjekje për ndriçimin e incidentit por është ende herët të thuhet se cilat ishin motivet apo autorët e tij.