Lidhje

Serbi, Vuçiç fiton zgjedhjet presidenciale


Kryeministri konservator i Serbisë Aleksandar Vuçiç fitoi zgjedhjet presidenciale të së dielës me një diferencë të thellë, duke konfirmuar kontrollin e tij mbi jetën politike në një vend në kërkim të marrëdhënieve të ngrohta me perëndimin, ndërsa forcon lidhjet me aleaten tradicionale, Rusinë.

Anketat e pavarura tregojnë se 47-vjeçari Vuçic ka marrë rreth 55 për qind të votave. Kjo i siguron fitoren që në raundin e parë, duke marrë më shumë se 50 për qind të votave të kërkuara për të formuar qeverinë. Rivali i tij më i afërt, kandidati i opozitës Sasha Jankoviç, ka marrë mbi 16 për qind.

Që nga vitit 2008 Vuçic, me profesion avokat, ka nxitur politikat për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, duke sinjalizuar një ndryshim dramatik nga qëndrimi i tij ultra-nacionalist i viteve ’90, si anëtar i Partisë Radikale serbe të ekstremit të djathtë.

Ai ka nxitur gjithashtu përmirësimin e lidhjeve me Kosovën si një kërkesë kyçe për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Pritet që Vuçic të emërojë një aleat në postin e kryeministrit si dhe të transformojë pozicionin e presidentit nga një post ceremonial në një zyrë prej nga mund të kontrollojë jetën politike të vendit me 7.2 milionë banorë.

Zgjedhjet, sprovë për popullaritetin e Z. Vuçiç

I dyti pas tij radhitet kandidati opozitar Sasha Jankoviç, ish Avokat i Popullit të në Serbi që ka fituar rreth 15 për qind të votave, sipas grupit vëzhgues Ipsos dhe Qendrës për Zgjedhje të Lira e Demokratike.

"Për mua është me rëndësi që këto zgjedhje dëshmuan se shumica e qytetarëve serbë mbështetë vazhdimin e rrugës evropiane duke ruajtur në të njëjtën kohë lidhjet me Kinën dhe Rusinë", u tha Vuçiç mbrëmë përkrahësve të tij duke shpallur fitoren që e cilësoi "të pastër si loti".

Serbët hodhën të dielën votën e tyre për të zgjedhur presidentin e ri, në ato që shiheshin si sprovë për popullaritetin e kryeministrit aktual, Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç vendosi të heqë dorë nga posti i kryeministrit para se të mbushej një vit nga fillimi i mandatit të dytë, me premtimin për të ruajtur një drejtpeshimin ndërmjet aspiratave për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për të ruajtur lidhjet tradicionale me Rusinë.

"Politika e Serbisë është që të qëndrojë në rrugën evropiane. Ky është qëllimi ynë strategjik. Arsyeja kryesore është që ne duam të jemi dhe të kemi një shoqëri sikurse në shumicën e vendeve të zhvilluara evropiane. Në anën tjetër, unë u them Bashkimit Evropian dhe Washingtonit se Serbia dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira më Federatën Ruse, të kemi bashkëpunim të mirë ekonomik dhe ta përmirësojmë atë, sepse kemi pasur rënie të tregut vitin e kaluar", tha ai gjatë fushatës.

Në Serbi, zyra e kryeministrit ka më shumë fuqi sesa ajo e presidentit. Vuçiç nuk ka dhënë shpjegime përse ka zgjedhur të largohet nga një zyrë me fuqi institucionale për të mbajtur një post kryesisht ceremonial. Por, analistët thonë se ai druante që presidenti aktual, Tomislav Nikoliç, mund të humbte zgjedhjet dhe posti t'i mbetej opozitës.

Opozita e rimëkëmbur kishte pak shpresë, meqë udhëheqësit e ndarë të saj nuk u morën vesh për një kandidat të përbashkët dhe Vuçiç u përball 10 syresh.

Kritikët e tij paralajmërojnë se zoti Vuçiç po kërkon të kopjojë llojin e autokracisë së Rusisë nën Vladimir Putinin që i ka dhënë tashmë mbështetje kandidaturës së tij. Rivalët e kanë akuzuar zotin Vuçiç për përbaltje të kandidatëve, për kontroll të medieve dhe për frikësim të votuesve.

Zoti Vuçiç, një ish-ministër i informacionit dhe propagandist i vijës së ashpër nën presidentin Sllobodan Millosheviç i kundërshton akuzat. Partia e tij Përparimtare Serbë në pushtet bleu ditën e enjte hapësirat e faqeve të para të pothuajse të gjitha gazetave të përditshme, për të reklamuar logon kuq e blu të kandidatit të saj.

Serbia u bë republikë e pavarur në vitin 2006, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia është vend kandidat për në BE që në vitin 2012 dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në vitin 2014.

Serbët e Kosovë në zgjedhjet presidenciale serbe

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ndërmori të dielën operacionin e quajtur "grumbullimi i votave" për t'u mundësuar serbëve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

Misioni kishte hapur katër qendra të grumbullimit të votave me degë të ndryshme në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, siç u veprua për zgjedhjet e kaluara.

Misioni i OSBE-së , planifikon që pas përfundimit të operacionit, votat e grumbulluara do t'i dërgojë në Rashkë dhe Vranjë të Serbisë dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit të atjeshëm Zgjedhor.

Serbët e Kosovës janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë meqë kjo u është garantuar me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë shpesh është kundërshtuar nga një numër subjektesh politike, të cilat pohojnë se në këtë mënyrë po pengohet integrimi i komunitetit serb.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG