Lidhje

200 vjetori i kompozitorit Wagner


Java që kaloi shënoi 200 vjetorin e lindjes së kompozitorit gjerman Richard Wagner. Wagner, është një nga kompozitorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, por ai është kritikuar gjithashtu si antisemit. Ai po nderohet me një festival operistik në Leipzig, vendlindja e tij.

Madhështor, dramatik, harmonik dhe i debatueshëm. 200 vjet pas lindjes, kompozitori Richard Wagner vazhdon të frymëzojë dhe të ngjallë debat. Që nga stili i tij muzikor e deri tek pikëpamjet antisemitiste, dhe përdorimi i muzikës së tij nga qeveria Kombëtare Socialiste, të paktë janë njerëzit që nuk kanë një pikëpamje për këtë njeri që lindi më 22 maj 1813, në një shtëpi të varfër në Leipzig.

200 vjetori i ditëlindjes së Vagnerit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Këtë javë, vendlindja e tij mbajti një festival madhështor me interpretim operash të reja të Wagnerit. Në operan Rheingold, epshi vihet përballë pangopësisë ndërsa xhuxhi Alberich zgjedh arin e babait të dy motrave Reihn në vend të atyre vetë. Profesor Ulf Schirmer është dirigjent i operas. Ai thotë se popullariteti i Wagnerit e ka burimin tek aftësia e tij për të manipuluar ndjenjat e audiencës.

“Veprat e Wagnerit kanë një intensitet të jashtëzakonshëm dhe një besueshmëri të jashtëzakonshme psikologjike. Mënyra e tij e kompozimit depërton menjëherë në ndjenjat tona. Dhe meqë jemi mësuar tani me muzikën e filmave dhe televizionit, muzika e tij na prek edhe më drejtpërdrejt. Sepse kjo lloj muzike mbështetet shumë tek Wagneri”.

Wagner lindi më 22 maj në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani. Babai i tij, Carl Fredrich Wagner ishte nëpunës në polici por vdiq gjashtë muaj pas lindjes së të birit. Familja u zhvendos në Dresden ku Wagneri jetoi derisa u rikthye në Leipzig në moshën 14 vjeçare. Ai nuk shfaqi interes për shkollën, duke parapëlqyer të përqendrohej tek teatri dhe muzika. Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme dhe veprash të lëna përgjysmë, opera e tij e parë e suksesshme, Rienzi u shfaq për herë të parë në Dresden në vitin 1842.

“Muzika moderne nuk do të ishte e mundur pa Wagnerin. Në shekullin e 19-të, ai ushtroi një ndikim të jashtëzakonshëm tek shumë forma arti, si piktura dhe muzika. Në të vërtetë unë mendoj se e gjithë muzika moderne është ndikuar prej tij, jo thjesht muzika që ne e quajmë “Muzika geto” por e gjithë muzika, edhe ajo rock dhe pop. Asnjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur pa Wagnerin. Ai ishte shumë i rëndësishëm më zhvillimin e muzikës, përmes harmonive të tij, mënyrës së drejtpërdrejtë, teatralitetit bombastik. Edhe sot ka kompozitorë që e mbështesin punën e tyre tek muzika e tij”.

Ndonjëherë operat e Wagnerit mund të jenë të gjata dhe të vështira. Das Rheingold është dy orë e gjysmë e gjatë dhe ngjarjet zhvillohen duke pasur në qendër argumenta mes perëndive dhe gjigantëve dhe ndërtimit të Valhallës. Por Das Rheingold është vetëm pjesa e parë e katër të tillave që formojnë “Der Ring des Nibelungen”, e cila po të interpretohet e gjitha zgjat 16 orë.

Për shkak të ideve të tij politike, ai kaloi një pjesë të mirë të jetës në mërgim. Pasi u përfshi në një kryengritje të dështuar në Dresden, ai shkoi në Paris dhe më pas në Zyrih. Wagner gjithashtu botoi artikuj antisemitistë, diçka që vazhdon ta errësojë imazhin e tij edhe sot. Por ajo që e dëmtoi më shumë reputacionin e tij ishte dashuria e Adolf Hitlerit për muzikën e tij dhe përdorimi i kompozimeve të tij nga nazistët në fushatat e tyre propagandistike.

Eksperti Thomas Krakow këshillon që Wagneri të shihet në kontekstin e Gjermanisë së shekullit të 19-të dhe jo përmes prizmit të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Krakow vë në dukje se Wagner vdiq gjashtë vjet para se të lindte Hitleri.

Dy dekadat e fundit të jetës Wagner i kaloi në Bayreuth të Bavarisë dhe vuri në jetë ambicjen e jetës së tij, ndërtimin e një teatri të tij për opera.
XS
SM
MD
LG