Lidhje

Muzeu i “Warner Bros Studios”


Gjatë periudhës dinamike të viteve 1920, kohë në të cilën ndodhin dhe ngjarjet në romanin The Great Gatsby, "Gatsby i Madh", filloi të zhvillohej industria e filmit në Hollywood, siç e njohim sot. Kompania Warner Bros po shndërrohej në një udhëheqës të industrisë. Tani ajo është studioja e filmave dhe televizive me më shumë aktivitet në botë dhe këtë vit feston 90-vjetorin e saj.

Filmi "Gatsby i Madh", një dramë romantike në 3D, ngjarjet e të cilës zhvillohen në vitet 1920, filloi të shfaqet këto ditë në kinema. Kjo është përshtatja e dytë në një film të madh e romanit të vitit 1925 me të njëjtin titull nga F. Scott Fitzgerald.
Filmi kthen shikuesit në një kohë kur industria e filmit në Hollywood sapo kishte filluar të zhvillohej. Warner Bros Studios ishte kompania e parë që krijoi ato që atëherë njiheshin si "fotografitë me zë", pra pamje të sinkronizuara me zë e tinguj.

E themeluar nga vëllezërit Harry, Albert, Sam dhe Jack, kompania ka prodhuar disa prej filmave më të suksesshëm në historinë e kinematografisë botërore. Kostume, skenarë dhe relike të tjera nga e kaluara e saj janë duke u shfaqur në Muzeun Warner Bros në Burbank, të Kalifornisë. Muzeu ndodhet brenda kompleksit të studiove dhe është i vetmi muze i këtij lloji në Hollywood.

"Ajo që donim të bënim ishte t’u jepnim mundësi vizitorëve të muzeut të shihnin aspekte të realizimit të filmave që nuk do të ishte e mundur për ta të shihnin diku tjetër. Ishte një mënyrë për të vënë së bashku në të njëjtin vend çdo gjë që lejon secilin vizitor të mund të kuptojë të gjitha profesionet e biznesit".

Një kopje me kopertinë lëkure e skenarit të filmit The Jazz Singer, i vitit 1927, që konsiderohet si një nga prodhimet më të mira amerikane të të gjitha kohërave, është ndër artikujt e shfaqur në muze. Ai ishte filmi i parë me metrazh të gjatë që përmbante dialog dhe pamje të sinkronizuara. Shfaqja e filmit nisi triumfin e filmave me zë dhe rënien e filmave të heshtur. Brenda fundit të vitit 1929, të gjitha studiot e mëdha prodhonin vetëm filma me zë.

Në vitin 1929, kompania Warner Bros publikoi filmin e parë tërësisht me ngjyra dhe me zë, On with the Show, dhe se suksesi i tij filloi “revolucionin e ngjyrave” në botën e filmave. Vizitorët e muzeut mund të shohin gjithashtu një shumëllojshmëri relikesh të aktorit John Wayne. Mes artikujve më të fundit, disa janë nga filmi fitues i çmimit Oscar të vitit 2012, Argo.

"Unë shoh filma dhe ndjek shumë programe në televizion. Është kënaqësi të shohësh se si dhe ku realizohen gjërat dhe të marrësh kaq shumë informacion të brendshëm."

Adhuruesit e filmit "Casablanca" mund të shohin pentagramet e muzikës së këngës në film "As Time Goes By". Muzeu mund të vizitohet gjatë pjesmarrjes në shëtitjet e përgjithshme të studiove Warner Bros dhe rezervimi paraprak është i nevojshëm.
XS
SM
MD
LG