Lidhje

Hapet Muzeu i Historisë së Afrikano-Amerikanëve


Në Uashington u zhvillua të shtunën ceremonia e hapjes së Muzeut Kombëtar të Historisë së Afrikano-Amerikanëve. Në fjalimin që mbajti me këtë rast, Presidenti Barak Obama tha se historia e afrikano-amerikanëve zë një vend qendror në historinë amerikane, të mbushur me fakte dhe vlerësime për baballarët që themeluan kombin.

“Shpesh ne nuk i kami kushtuar rëndësi, apo kemi harruar historitë e miliona të tjerëve, të cilët dhanë gjithashtu kontributin e tyre për të ndërtuar këtë vend,” - tha Presidenti.

Muzeu Kombëtar i Historisë së Afrikano-Amerikanëve, i cili u hap të shtunën për publikun, mori disa vjet për t’u ndërtuar, tani është më i riu në Kompleksin e Muzeumeve të Institutit Smithsonian, që ndodhen në Parkun Kombëtar të Uashingtonit.

Presidenti Obama tha se muzeu tregon historinë e Amerikës, që do të nxisë shërim shpirtëror dhe pajtim kombëtar.

“Duke u njohur me këtë histori tjetër të Amerikës ne do ta njohim më mirë vetveten, për t’u mësuar të tjerëve se ne jemi sot të gjithë amerikanë.”- tha Presidenti.

Në ceremoni foli edhe ish Presidenti George W. Bush, i cili pati nënshkruar në vitin 2003, ligjin që autorizoi ndërtimin e Muzeut. Po ashtu foli edhe kongresmeni i Xhorxhas, John Lewis, një ikonë e luftës për të drejta civile. Ai tha se muzeu në ngjyrë bronzi “më tepër se sa një ndërtesë, është një ëndërr e bërë realitet.”

Për të shënuar hapjen zyrtarisht të Muzeut, Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama i ranë këmbanës së një kishe historike afrikano-amerikane.

XS
SM
MD
LG