Lidhje

Uashington, vazhdojnë negociatat për buxhetin


Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit nga të dyja partitë po negociojnë planet për rihapjen e qeverisë dhe për të parandaluar një falimentim financiar - pamundësinë e Shteteve të Bashkuara për të shlyer detyrimet, gjë që do të kishte efekte të dëmshme mbi ekonominë globale.

Ligjvënësit republikanë thonë se do të votojnë sonte rreth një projektligji, i cili do të rihapte qeverinë dhe do të shmangte falimentimin financiar. Por Shtëpia e Bardhë dhe udhëheqësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve e hodhën poshtë menjëherë planin.

Ky projektligj, si dhe një tjetër i propozuar në Senat, parashikojnë financimin e qeverisë për tre muaj, deri më 15 janar si dhe rritjen e tavanit të borxhit për afro katër muaj, deri më 7 shkurt.

Projektiligji i Dhomës së Përfaqësuesve kërkon dy lëshime lidhur me ligjin e ri të reformës shëndetësore. Por zoti Obama refuzon të negociojë për ndryshime në ligjin e reformës së kujdesit shëndetësor.

Ligjvënësit thonë se Senati mund të mos e miratojë planin e tij para ditës së mërkurë, një ditë para se Shtetet e Bashkuara të shpallin pamundësinë e pagimit të borxhit, kur sipas Departamentit të Thesarit, vendi të arrijë kufirin e huamarrjes.

Nëse kufiri i borxhit nuk ngrihet deri të enjten, SHBA mund të mos jenë në gjendje të paguajnë detyrimet financiare. Është e paqartë nëse Kongresi do të mund ta respektojë këtë afat, edhe nëqoftëse udhëheqësit demokratë dhe republikanë të Kongresit arrijnë një kompromis në Senat.

Konservatorët e vijës së fortë, si republikani nga Teksasi, Ted Cruz, mund të shkaktojnë vonesa në votimin përfundimtar. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner tha sot se Shtetet e Bashkuara nuk do t'i shkelin detyrimet e tyre financiare.
XS
SM
MD
LG