Lidhje

Bisedime të reja për zgjidhjen e ngërçit në Uashington


Presidenti Barak Obama dhe udhëheqësit republikanë të kongresit po takohen përsëri sot në përpjekje për t'i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë dhe për të rritur tavanin e huamarrjes, në mënyrë që vendi të jetë në gjendje të paguajë detyrimet financiare.

Zoti Obama dhe udhëheqësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve u takuan dje në Shtëpinë e Bardhë. Sot, Presidenti po takohet me udhëheqësit republikanë të Senatit, ndërkohë që palët përpiqen të arrijnë marrëveshje për t'i dhënë fund mbylljes së qeverisë, e cila është në ditën e saj të 11. Mbyllja ka shkaktuar pezullimin e përkohshëm të disa qindra mijëra punonjësve të qeverisë si dhe të shërbimeve të shumta publike.

Ata po përpiqen gjithashtu të rrisin kufirin e huamarrjes të qeverisë federale mbi nivelin e tanishëm prej 16.7 trilion dollarësh, nivel që pritet të arrihet të enjten tjetër. Në këtë pikë, SHBA nuk do të kenë më fonde për të përmbushur detyrimet financiare. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë ofruar të rrisin tavanin e borxhit deri më 22 nëntor, ndërsa përpiqen të sigurojnë shkurtime të mëtejshme shpenzimesh nga Shtëpia e Bardhë gjatë gjashtë javëve të ardhshme.

Ka pasur shenja se palët po ecin drejt një marrëveshjeje për t'i dhënë fund këtyre dilemave ekonomike, por ende nuk është arritur diçka konkrete.
XS
SM
MD
LG