Lidhje

Këtë javë në Uashington


Qeveria amerikane ka hyrë në procesin e shkurtimeve automatike në përpjekje për të përmirësuar situatën fiskale. Në ditët dhe javët në vazhdim, politikanët në Uashington do të ndjekin me vëmendje efektet e këtyre shkurtimeve dhe reagimin e publikut ndaj reduktimit të shërbimeve qeveritare:

Në mungesë të një marrëveshjeje mes Presidentit Obama dhe Kongresit për të shmangur shkurtimet automatike, amerikanët po shprehin pikëpamjet e tyre mbi situatën kritike buxhetore:

“Është absurde që Kongresi dhe Presidenti nuk arrijnë mirëkuptim. Një herë në kaq kohë ballafaqohemi me skenare të tilla; kjo s’është e drejtë për popullin”, thotë një banor nga Florida.

“Mbetesh i zhgënjyer nga Kongresi dhe kjo lojë hidh e prit”, thotë një tjetër nga Nju Jorku.

Por jo të gjithë janë të shqetësuar.

“Nuk mendoj se do të dalë aq keq sa ç’e bëjnë”, thotë një banor i Nju Jorkut.

“Politikanët po i ekzagjerojnë së tepërmi këto shkurtime. Nuk mendoj se shuma aktuale ka për t’u ndjerë aq shumë krahasuar me deficitin buxhetor”, thotë një tjetër.


Në mungesë të një reagimi dhe revoltimi të madh publik, thirrja e Presidentit Obama për një marrëveshje dypartiake mund të bjerë në veshë të shurdhër:

“Këto shkurtime nuk janë të peshuara. Ato do t’i kushtojnë ekonomisë dhe të gjithë neve, duke eliminuar vende pune. Kongresi mund t’i anulojë në çdo kohë, sapo të dyja palët të tregohen të gatshme për kompromis”.

Presidenti kërkon një paketë politikash, ku shkurtimet të ndërthuren me rritje taksash në vend të shkurtimeve automatike. Republikanët kundërshtojnë rritjen e taksave. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner:

“Këto diskutime për shtimin e të ardhurave për mendimin tim janë mbyllur. Duhet të merremi me problemin e shpenzimeve”.

Ngërçet e vazhdueshme politike e kanë lodhur dhe zhgënjyer opinionin publik shprehet analistja Sarah Binder:

“Mendoj se publiku e shikon situatën dhe nxjerr përfundimin se të dyja palët janë me faj. Njerëzit nuk bien dakord për zgjidhjen e duhur. Amerikanët e kanë të qartë se kjo s’është mënyra e duhur për të qeverisur”.

Këtë javë në Uashington pritet që Senati të shqyrtojë kandidaturën e Presidentit Obama për kreun e CIA-s, këshilltarin e Presidentit John Brennan. Kongresi vazhdon këtë javë edhe debatet mbi kontrollin e armëve të zjarrit, pas masakrës së dhjetorit në shkollën fillore në Konektikat.
XS
SM
MD
LG