Lidhje

Këtë javë në Uashington


Kongresi amerikan rinis punën këtë javë mbas një periudhe pushimesh. Ligjvënësit do të diskutojnë për reformën e imigracionit dhe do t’i rikthehen edhe një herë sulmit të vitit të kaluar ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë.

Kjo javë pritet të ketë në qendër në Senat ligjet për imigracionin, ku u paraqit një reformë dypartiake muajin e kaluar. Këtë javë, senatorët mund të vendosin nëse ligji siguron mbrojtje të njëjtë për imigrantët homoseksualë, marrëdhëniet e të cilëve nuk njihet nga ligji aktual federal.
Javën e kaluar, presidenti Obama foli në mbështetje të reformës së imigracionit që përfshin edhe homoseksualët.

“Komuniteti LGBT duhet të trajtohet si të gjithë të tjerët. Për mua, ky është parimi kryesor në dokumetat themeltar të shtetit- ideja që ne jemi të gjithë të barabartë”.

Kjo çështje pati nxitje nga fakti që amerikanët homoseksualë nuk mund të sponsorizojnë bashkëshortin apo bashkëshorten e tyre për qëndrim të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara apo për marrjen e shtetësisë. Martesat mes shtetasve të huaj e atyre amerikanë për çiftet si amerikania Heather Morgan dhe spanjollja Maria del Mar Verdugo, mund të ndërpiten çdo moment.

"Jemi krejtësisht të paqarta dhe jetojmë me idenë se në çdo moment, mund të na njoftojnë e Maria mund të jetë e detyruar të largohet”.

Por disa ligjvënës amerikanë janë kundër përfshirjes së të drejtave të homoseksualëve në reformën e imigracionit, duke thënë se kjo do të rrezikonte të gjithë ligjin. Komisioni juridik i Senatit pritet të marrë në shqyrtim këtë çështje gjatë javës në vazhdim.
Ndërkohë, sulmi terrorist që vrau katër amerikan – përfshi ambasadorin në Bengazi të Libisë do të shqyrtohet edhe njëherë nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve. Republikanë si Darrel Issa mbeten të të pakënaqur me shpjegimet e administratës Obama për veprimet para dhe gjatë sulmit.

“Ne duhet të veprojmë në një vend si Libija, ku ka humbje në aspektin e sigurisë”.

Nesër, presidenti Obama do të presë presidenten e Koresë së Jugut Park Geun Hye në Shtëpinë e Bardhë. Kjo vizitë pason një periudhë shumë të tensionuar me Korenë e Veriut, dhe ka si synim rivlerësimin e pozicionit të sigurt të Amerikës në rajonin e Azi Paqësorit.

XS
SM
MD
LG