Lidhje

Dasmat dhe mediat sociale


Erdhi dhe dasma e shekullit të XXI: me postimet në Facebook, Twitter dhe Instagram. Tani, një hotel në Nju Jork po ofron një shërbim për të ndihmuar çiftet për nevojat e tyre për median sociale gjatë ditës së martesës.

Listës së martesave gjatë ditëve të sotme, iu shtua diçka tjetër.
Më parë, të fejuarit shqetësoheshin vetëm për unazat, ushqimet, dhe një fustan. Por tani duhet të konsiderojnë edhe aspektin e medias sociale. Dhe çiftet sot nuk po kursehen aspak. Një hotel në Nju Jork ka filluar t’i ofrojë atyre shërbim për postimet në mediat sociale. Për tre mijë dollarë, hoteli “W” ofron të krijojë dhe menaxhojë faqen e Facebook-ut të çiftit, të vëjë foto në Instagram dhe të postojë në Twitter për ta.

“Ne mund të ndihmojmë çiftin me hapjen e faqes së tyre të dasmës, nëse ata duan të krijojnë një faqe në Facebook, ndoshta një profil në Instagram, Twitter... çdo gjë që është e rëndësishme për ata të dy. Dhe ne pastaj i ndihmojmë me menaxhimin e përmbajtjes, në mënyrë që të jetë diçka që reflekton personalitetet e tyre.”

Sarah Winiarz dhe Kerwin Guevarra po planifikojnë dasmën e tyre për në tetor të këtij viti.
Ata besojnë se një person posaçërisht për median sociale është mënyra e duhur për të përfshirë miqtë dhe familjarët në çdo hap të ceremonisë, sidomos nëse ata jetojnë larg.

“Nga ana ime, kam shumë njerëz në Ishujt e Filipineve të cilët do të donin të ishin të pranishëm për çdo moment të dasmës, por edhe para dhe pas saj.”

Për nusen Winiarz, thelbi nuk është ndarja e tepruar e fotografive, por ndarja e momenteve të rëndësishëm për ta me familjarët dhe miqtë e tyre.

“Për ne është një metodë e organizuar për të përcjellë këtë proces dhe nuk duam t’i mbysim njerëzit me foto dhe video, kështu që personi i posaçëm do të përzgjedhë momentet më të mirë dhe të lejojë t’i shohin dashamirësit tanë.”

Edhe pse disa mund të thonë se kjo është diçka e tepruar, psikologu social Guy Winch thotë se është një hap i arsyeshëm.

“Është hapi tjetër i llogjikshëm sepse njerëzit tani po shkruajnë në Twitter gjatë dasmave gjithsesi, dhe po vënë foto në Facebook para se të mbarojë ceremonia. Pra, për njerëzit që duan ta bëjnë në një mënyrë më të organizuar, përse mos të punësojnë dikë që të merret me të?”

Zonja Kiefer vë në dukje se njerëzit dikur mendonin se edhe marrja në punë e një planifikuesi për dasmën ishte e tepruar. Kështu që, ajo mendon se opinioni do të fillojë të ndryshojë dhe do të ketë më shumë kërkesa për shërbimin e tyre.

“Ne besojmë se është si rasti i fotografit tradicional ose planifikuesit të dasmës që mund të ishte konsideruar i tepruar vite më parë, por tani janë të domosdoshëm për dasmat. Jemi të sigurt se së shpejti, edhe ndihmësi për median sociale do të bëhet i domosdoshëm për ditën e madhe.”
XS
SM
MD
LG