Lidhje

Dokumentar i ri për një vrasje të bujshme


Në vitin 1993, tre djem u vranë në qytetin West Memphis në shtetin Arkansas. Tre adoleshentë me probleme u shpallën fajtorë për krimin dhe u dënuan me 18 vjet burgim. Por siç doli më pas, procesi i gjykimit ishte me probleme. Megjithëse prokurori i shtetit Arkansas nuk pranoi të jepte komente për Zërin e Amerikës, një dokumentar i ri po përpiqet të hedhë dritë mbi faktet e zbuluara së fundmi për të dyshuar të tjerë në këtë çështje:

Damien Echols, Jessie Misskelly dhe Charles Jason Baldwin u akuzuan për krimin. Siç doli më pas, gjykimi i tyre bazohej në të dhëna të dyshimta dhe dëshmi të rreme:

Gjykimi që u ndoq me vëmendje të madhe, ka zgjuar kuriozitet edhe nga kineastët:

Në vitin 1996, dokumentari Paradise Lost ishte i pari që ngriti pyetjen nëse ishte vënë në vend drejtësia:

“Kemi prova të reja të mbledhura gjatë 15 vjetëve,” thotë tani Amy Berg, producente e dokumentarit West of Memphis, ku parashtrohen jo vetëm prova të asaj kohe, por edhe dëshmi të reja që përqëndrohen tek Terry Hobbs, njerku i njërit prej djemve të vrarë. Sipas producentes, ai është veçuar si i dyshuar nga provat e ADN-së dhe intervistat me familjarët.

“Bëmë një hetim të hollësishëm,” thotë zonja Berg, duke argumentuar se tre të dënuarit duhet të shpallen të pafajshëm.

“Dokumentari është në vetvete një provë për t’i shpallur të pafajshëm dhe për të nxjerrë para drejtësisë vrasësin e vërtetë. Shpresojmë se filmi do të shërbejë për këtë”.

Megjithëse në vitin 2011 Terry Hobbs hodhi poshtë ndonjë përfshirje në krim, shteti Arkansa ka pranuar të nxjerrë nga burgu tre të dënuarit, por pa i liruar nga akuzat.

Damien Echols, i cili ishte dënuar me vdekje, thotë për Zërin e Amerikës se për të dalë nga burgu u duhej të bënin një marrëveshje:

“Ne vazhdojmë t’i përmbahemi argumentit se jemi të pafajshëm. Në fakt megjithëse themi se jemi të pafajshëm, ne kemi pranuar kushtet e prokurorit që zyrtarisht të pohojmë fajësinë për t’u liruar. E gjithë kjo bëhet që shteti të mos mbahet përgjegjës për veprimet që bëri”.

Si rezultat, thotë Echols, ai dhe dy të tjerët ende mbajnë njollën e vrasësit.

“Në biografi kam dënimin për tre vrasje. Një ndër të dënuarit e tjerë, Jason Baldwin po vazhdon studimet juridike. Ai shpreson të bëhet jurist të ndihmojë të tjerët që janë në rrethana të ngjashme. Por e ka të pamundur të punojë si jurist nëse është shpallur fajtor në të kaluarën”.

Juristja Rene Sandler thotë se shpesh në raste kaq të bujshme si vrasja e tre fëmijëve, prokurorët janë nën presion për të shpallur dikë fajtor:

“Disa njerëz bënë karrierë politike e morën emër përmes kësaj çështjeje. Prokurorët u përpoqën ta zgjidhin çështjen me ç’të gjenin. Prokurorët dhe gjykatësi donin thjesht të shpallnin dikë fajtor dhe u përqëndruan tek tre të dyshuarit pa parë për të dyshuar të tjerë”.

Shteti Arkansas nuk ka pranuar ta rihapë çështjen. Prokurori i Përgjithshëm i shtetit Scott Ellington nuk pranoi të jepte komente për Zërin e Amerikës. Por dokumentari West Memphis ka treguar të çarat në argumentat e prokurorëve. Sipas shenjave ka gjasa të hapet një çështje e re gjyqësore për të dënuarit.
XS
SM
MD
LG