Lidhje

Takim Obama-Netanyahu në Shqëpinë e Bardhë


Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po i dënojnë planet e Israelit për vazhdimin e ndërtimeve të reja në Jeruzalemin Lindor, duke thënë se ky veprim e prish atmosferën për paqe. Deklaratat vijnë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua të mërkurën me Presidentin Barack Obama në Zyrën Ovale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Luis Ramirez njofton se megjithë mosmarrëveshjet, të dy udhëheqësit premtuan se do të bashkëpunojnë për paqen, për, siç u shprehën ata, një situatë të re të krijuar në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri izraelit Minister Benjamin Netanyahu hynë në takimin e tyre në Zyrën Ovale me axhenda të ndryshme. Zoti Netanyahu donte të fliste për Iranin dhe kërcënimin bërthamor prej tij. Fokusi i diskutimit të zotit Obama ishin viktimat mes civilëve gjatë operacioneve të kohëve të fundit të Izraelit kundër militantëve në Rripin e Gazës, ku u vranë më tepër se 2,100 palestinezë dhe 70 izraelitë:

"Ne duhet të gjejmë mënyra për ta ndryshuar statuskuonë, në mënyrë që shtetasit izraelitë të jenë të sigurtë në shtëpitë e tyre, që nxënësit në shkollat e tyre të jenë të sigurtë nga mundësia e hedhjes së raketave, por që nga ana tjetër, të mos ndeshemi me tragjedinë e fëmijëve palestinezë, të cilët gjithashtu vriten." - tha Presidenti Obama.

Udhëheqësi amerikan ritheksoi, siç u shpreh ai “përkushtimin e hekurt” të Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë së Izraelit, siç duket qartë edhe me dërgimin e sistemit të interceptimit të raketave "Kupola e Hekurt", që i ka ndihmuar izraelitët të rrëzojnë një numër raketash të hedhura nga militantët e Gazës brenda në Izrael.

Zoti Obama tha se do të diskutonin gjerë e gjatë për situatën e ndërtimit të Gazës dhe se si mund të realizonin një paqe më të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ata folën gjithashtu lidhur me fushatën për mundjen e militantëve të grupit Shteti Islamik.

Zoti Netanyahu tha se Izraeli mbështet plotësisht përpjekjet e SHBA kundër Shtetit Islamik, por i rëndësishëm, tha ai, është qëllimi për të mos e lejuar Iranin të bëhet një fuqi bërthamore. Udhëheqësi izraelit i kërkoi zotit Obama që të mos përkulet para dëshirave të Iranit në negocitatat në vazhdim të grupit P5+1, që synojnë të sprapsin programin bërthamor të Iranit në këmbim të pakësimit të sanksioneve:

"Irani përpiqet që arrijë një marrëveshje, e cila do të hiqte sanksionet e rënda, për të cilat ne u përpoqëm shumë t’i vendosnim duke e lënë atë në pragun e të qënit një fuqi bërthamore. Por unë shpresoj së tepërmi se nën udhëheqjen tuaj, kjo nuk do të ndodhë,"- tha zoti Netanyahu.

Në kushtet kur negociatat e paqes me palestinezët kanë ngecur dhe ndërsa e ardhmja e një marrëveshjeje bërthmamore me Iranin nuk është e sigurtë, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit shpresojnë se bisedimet e së mërkurës do të sjellin një bashkëpunim më të ngushtë, gjë që zoti Netanyahu la të kuptohet se është e nevojshme, ndërsa situata në Lindjen e Mesme po keqësohet.

XS
SM
MD
LG