Willis Conover, një nga njohësit më të mirë të xhazit në Amerikë, do të mbushte këtë muaj 90 vjeç nëqoftëse do të jetonte. Ai kishte një program në Zërin e Amerikës, të quajtur “Ora e xhazit” dhe ishte ky program që njohu miliona njerëz në Evropën Lindore, sidomos në ish Bashkimin Sovjetik me xhazin amerikan. Ndikimi që ai pati tek ata njerëz ende kujtohet edhe sot.
Me zërin e tij prej baritoni, Willis Conover e solli xhazin në shtëpitë e dëgjuesve kudo në botë, duke frymëzuar një brez të ri talentesh të xhazit. Programi i tij i përditshëm prej një ore në Zërin e Amerikës kishte rëndësi të veçantë për ata që dëgjonin përtej “perdes së hekurt”. Për shumë njerëz, emisioni "Ora e xhazit" ishte i vetmi ekspozim që ata kishin ndaj muzikës perëndimore.
Alexei Kozlov është themeluesi i ansamblit të njohur rus të xhazit, Arsenal. Ai tregon se kur ishte student i arkitekturës, u fut në botën e xhazit nga Willis Conover, sepse prej tij mori frymëzimin për të mësuar saksofonin.
"Megjithëse programet e Zërit të Amerikës ndaloheshin në vendet sovjetike ne e dëgjonim Zërin e Amerikës duke vënë në rrezik veten dhe familjet tona. Ne mësonim çdo gjë nga Conover. Megjithëse në Bashkimin Sovjetik bëhej propagandë kundër çdo gjëje amerikane, Conover e bënte Amerikën tërheqëse për të gjithë ata që dëgjonin."
Emisioni “Ora e xhazit” ishte bërë forumi nga i cili emra të tillë të njohur në Perëndim si Duke Ellington, Charlie Parker dhe Count Basie, i prezantoheshin publikut në Evropën Lindore. Por emisioni i tij ishte edhe një shkollë edukimi për muzikantët e rinj të cilët i ndihmonte të ktheheshin nga dëgjues pasivë në pjesmarrës aktivë në muzikë.
Victor Fonarev nga Letonia është sot basist profesionist në Shtetet e Bashkuara. Ai u njoh me programin e Conoverit kur studionte për aviacion në Riga.
"Çdo mbrëmje përpiqesha të hyja fshehurazi në klasën e vetme që kishte radio. Njerëzit në shtëpi ishin në gjumë dhe nuk e dinin se ku shkoja, përndryshe do të më ndëshkonin që dëgjoja programe të ndaluara."
Nga viti 1955, deri sa vdiq më 1996, Conover punonte nga studioja e tij e vogël në Uashington. Prej këtej, nën perden e tymit të duhanit, ai përhapte në botë dashurinë e tij për xhazin.
"Kurrë nuk e kisha përfytyruar se një ditë do të vija këtu në studion e Willis Conoverit, legjendës së xhazit. Pra që do të isha në studion nga e cila Conover fliste për xhazin me zërin e tij tërheqës."
Efim Drucker, producent në Zërin e Amerikës, ka punuar në atë studio me Conoverin për 8 vjet me radhë. Që kur jetonte në Rusi, Drucker e dëgjonte me interesim të madh emisionin “Ora e xhazit”. Pasi imigroi në Shtetet e Bashkuara ai kërkoi të punonte me Conoverin të cilin e adhuronte pa masë. Ai thotë se Conoveri ia përkushtoi jetën “Orës së xhazit”.
Conover dhe grupi i tij, tregon Drucker, punonin tërë ditën për të garantuar cilësi të lartë të muzikës së xhazit që transmetohej nga Zëri i Amerikës.
"Ai ishte shumë i saktë dhe i kushtonte rëndësi detajit. Në atë kohë nuk kishte CD por pllaka gramafoni dhe nëqoftëse pllaka kishte ndonjë gërvishtje të vogël, ai më kërkonte që ta hiqja atë pjesë. Kishte raste që harxhoja tërë ditën për të pastruar gërvishtjet. Por ia vlente sepse tingulli dilte i përsosur. Dhe pikërisht ashtu, të përsosur dhe magjike, e kujtojnë muzikën e Conoverit në Rusi.”
Aftësia e Conoverit për t’ua shpjeguar xhazin njerëzve të thjeshtë dhe vemendja ndaj detajit mund të mos përsëritet më. Por në një intervistë aty nga fundi i karrierës së tij, ai ndihej se e kishte arritur qëllimin e jetës si njeri dhe si artist.
"Më duhet ta ndjej që kam bërë diçka të mirë. Përndryshe do të vinte keq për atë që kam bërë. Nuk dëshiroj të bëj diçka thjesht për para. As edhe për famë e për pushtet. Nuk kam qenë kurrë xheloz për dikë që ka para, pushtet apo famë. Ajo që kërkoj unë është të ndjej se jeta ime pati vlerë. Dhe mendoj se kështu do të ndihem deri në ditën time të fundit."
Xhazi sot mësohet dhe ekzekutohet kudo në botë. Dhe mes atyre që sot janë mësuesit e yjeve të sotëm të xhazit, ka njerëz që dikur jetonin në Evropën Lindore. Duke realizuar ëndrrën e tij, Willis Conover ndihmoi të tjerët të realizonin të tyren.