Dy senatorët që kryesojnë Komisionin e Senatit për Zbulimin thanë të enjten se nuk ka prova që të mbështesin akuzën e Presidentit Donald Trump se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama kishte përgjuar telefonat e tij në Kullën Trump në Nju Jork, në javët para zgjedhjeve në nëntor.
Republikani Richard Burr dhe Demokrati Mark Warner thane se “Në bazë të informacionit që kemi në dispozicion, nuk shohim të dhëna që Kulla Trump ishte subjekt përgjimi i asnjë elementi të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, para ose pas ditës së zgjedhjeve 2016”.
Deklarata e tyre pasoi atë të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan i cili gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e bujshëm të presidentit më 4 mars se zoti Obama kishte urdhëruar përgjimin. “E kemi qartësuar që nuk ka prova për një gjë të tillë”.
Megjithatë zoti Trump, i tha televizionit Fox News të mërkurën në mbrëmje se “shumë shpejt” ai do të bëjë publike prova për veprimet e Presidentit Obama. Udhëheqës të lartë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, thane se akuza e Presidentit Trump është pa bazë, por ai tha se administrate e tij “do t’i dorëzojë gjëra” panelit dhe se ndoshta ai vetë do të flasë për pretendimin e tij javën e ardhshme.