Lidhje

Adoleshenti i arrestuar gabimisht


Amerikanët, ndër ta edhe Presidenti Obama, reaguan me simpati ndaj një djali 14-vjeçar që u arrestua në një shkollë të mesme në Teksas, pasi mësuesi kujtoi se projekti i tij shkencor, një orë e montuar vetë në shtëpi, ishte një bombë. Incidenti ktheu vëmendjen tek dallimi i vështirë ndërmjet kujdesit dhe paranojës, në një epokë vrasjesh masive në shkollat amerikane dhe në vendet publike.

14-vjeçari Ahmed Mohamed është i apasionuar pas shkencës dhe teknologjisë, në veçanti me telat dhe qarqet elektronike. Megjithëse ka fituar edhe çmime për disa nga projektet e tij shkencore, projekti i tij më i fundit e futi në telash. Ai ndërtoi një orë elektronike me një kuti lapsash, dhe e solli në shkollë për t’ia treguar mësuesit.

Por, një mësues tjetër i shkollës së mesme MacArthur, në Irving të Teksasit, u bë me hije prej paisjes me tela, dhe duke menduar se mund të ishte eksploziv, thirri policinë. Pra, në vend që të lavdërohej, shpikësi adoleshent u prangos dhe u mor në një stacion policie.

“Më arrestuan dhe me thanë se krimi im ishte që pata krijuar një bombë fallco.”

Nxënësi i klasës së nëntë është me origjinë nga Sudani dhe është mysliman. Prindërit e tij dhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit lokal mysliman thonë se ai u veçua për shkak të racës dhe besimit të tij.

“Mendoj se as nuk do ta diskutonim tani nëse emri i tij nuk do të ishte Ahmed Mohamed.”

Por, autoritetet e shkollës thonë se pas vrasjeve masive në shkolla në të gjithë vendin, ata duhet ta marrin seriozisht çdo kërcënim.

“Dua ta dinë të gjitha familjet, komuniteti dhe mbarë kombi, se siguria e nxënësve është prioriteti ynë më i madh.”

Projekti shkencor i Ahmedit ka ngjallur simpati në mbarë vendin. Presidenti Obama e ftoi t’i bashkohet shkencëtarëve të tjerë të rinj gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë muajin që vjen.

“Ne këtu në Shtëpinë e Bardhë, edhe vetë Presidenti, kuptuam se kishim shansin ta kontaktonim këtë djalë dhe t’i ofronim një mundësi unike për të ushqyer më tej kuriozitetin e tij intelektual. Mendoj se do të përshtatet shumë mirë me të rinjtë e tjerë në mbrëmjen e astronomisë në Shtëpinë e Bardhë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Presidenti Obama ka inkurajuar studentët të përfshihen në shpikje shkencore dhe ka organizuar edhe më parë aktivitete të ngjashme për nxënës shkollash.

XS
SM
MD
LG