Kryeqyteti amerikan është këtë të shtunë epiqendra e Ditës Botërore të Xhazit. Klube muzikore, shkolla muzike, qendra arti, ambasada të ndryshme kanë hapur dyert që njerëzit të ndjekin koncerte, apo orë mësimi, diskutime e dokumentarë mbi xhazin. Shtëpia e Bardhë hapi dyert për disa nga emrat më të mëdhenj të xhazit dje:
“Për pesë vjet, aktiviteti kryesor i Ditës Botërore të Xhazit është festuar në pika të ndryshme të globit, nga Stambolli, në Osaka e në Paris. Prandaj jemi shumë krenarë që sivjet xhazi rikthehet në atdheun e vet, Amerikën,” tha Presidenti Obama.
Kjo formë arti, është reflektimi më i sinqertë i identitetit të Amerikanëve si komb, tha presidenti amerikan - një xhanër muzikore, që ashtu si Amerika, ka në esencën e vet improvizimin. Xhazi është ndër eksportet më të rëndësishme dhe më të përhapura të kulturës amerikane në botë – “kontributi më i rëndësishëm artistik i Amerikës për botën” – siç u shpreh zoti Obama. Xhazi lindi si reflektim i muzikës së tolerancës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe me këtë motivacion UNESCO ka krijuar Ditën Botërore të Xhazit.
Mbrëmë një listë yjesh të xhazit ishin ftuar për interpretim në Shtëpinë e Bardhë, ndër ta e madhja Areta Franklin.
Koncerti i Shtëpisë së Bardhë transmetohet të shtunën në mbrëmje nga rrjeti televiziv ABC në Shtetet e Bashkuara dhe do të përcillet në të gjithë botën në internet me streaming nga UNESCO dhe Kombet e Bashkuara.