Lidhje

Senati pritet të miratojë kandidaturën e Janet Yellen


Senati amerikan duket se do ta miratojë kandidaturën e Janet Yellen, në krye të Bankës Qendrore amerikane. Konfirmimi do ta bënte atë një nga figurat më të fuqishme në qarqet botërore ekonomike. Senati pritet të votojë sot pasdite për emërimin e zonjës Yellen, që do të zëvendësonte Ben Bernanken. Analistët thonë se ajo do të marrë votat e mjaftueshme për konfirmim.

Ekonomistët parashikojnë që profesorja e ekonomisë dhe nënkryetarja e Rezervës Federale Janet Yellen të vazhdojë shumë nga përpjekjet e Ben Bernanket për të forcuar ekonominë. Që të dy ata kanë bërë thirrje që t’i jepet fund programit miliarda dollarësh të Bankës Qendrore për t’i mbajtur përqindjet e interesit të ulëta dhe për nxitjen e ekonomisë. Presidenti Obama thotë se zonja Yellen është e zonja dhe efektive.

“Ajo e ngriti zërin që herët për krizën e tregut të shtëpive, për teprimet në sektorin financiar dhe lidhur me rreziqet e një recesioni madhor. Ajo nuk ka shkop magjik, por ajo ka një ide të qartë të funksionimit të tregjeve dhe ekonomisë, jo thjesht në teori por edhe në praktikë”.

Zonja Yellen, ka shkruar hollësisht për arsyet dhe ndikimin e papunësisë dhe disa analistë thonë se ajo mund ta vërë edhe më shumë theksin tek hapja e vendeve të punës.

“Ka shumë amerikanë që ende nuk gjejnë dot punë dhe shqetësimi as nuk paguan dot faturat e tyre dhe as nuk siguron jetesën për familjet e tyre”.

Papunësia arriti shifrën 10 për qind gjatë recesionit dhe tani ka rënë në 7 për qind, por ky numër është ende më i lartë sesa mesatarja e përgjithshme.

Ekonomistët thonë se Yellen ka gjasa që të vazhdojë me politikat e zotit Bernanke të mbajtjes së përqindjeve afatshkurtra të interesit afër zeros, përmes programit për blerjen e letrave me vlerë.

Banka Qendrore ka blerë letra me vlerë që kapin shifrën 85 miliardë dollarë çdo muaj, për të futur më shumë para në ekonomi dhe për ta lehtësuar marrjen e huave për bizneset dhe individët. Por ekonomistët thonë se stimujt duhet të ndërpriten me kalimin e kohës, për të shmangur thellimin e inflacionit që mund të dëmtojë ekonominë.

“Unë besoj se nxitja e ekonomisë sot është rruga më e sigurt për rikthimin në normalitet të politikave monetare”.

Zonja Yellen ka qenë kryetarja e Rezervës Federale të Sam Franciskos. Ish-Presidenti Bill Clinton e emëroi atë në krye të Bordit të Këshilltarëve të tij ekonomikë në vitin 1997. Ekonomistja 67 vjeçare është profesore nderi e Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, ku kishte qenë pedagoge për dekada me radhë.

Nëse konfirmohet nga Senati, ajo do të jetë e para grua që drejton Bankën Qendrore të ekonomisë më të madhe në botë.
XS
SM
MD
LG