Lidhje

Yellen: Normat e interesit mund të rriten shpejt


Kreu i Bankës Qendrore Amerikane, Janet Yellen thotë se vazhdimi i përmirësimit të ekonomisë amerikane po bën të nevojshme një rritje të mundshme të normave të interesit. Ajo i bëri komentet para një komisioni të kongresit.

Kryetarja e Bankës Qendrore Amerikane, Janet Yellen thotë se ekonomia amerikane po përmirësohet dhe së shpejti mund të mos ketë më nevojë për mbështetje nga normat tepër të ulëta të interesit. Ajo i tha një komisioni kyç të kongresit të enjten se rritja e normave të interesit mund të ndodh relativisht shpejt, por do të bëhet në mënyrë graduale.

Shumë njerëz humbën vendet e punës dhe shtëpitë gjatë recesionit, dhe ekonomia fillioi të tkurrej, duke nxitur Bankën Qendrore Amerikane të ulte normat e interesit në pothuaj zero përqind për të nxitur rritjen ekonomike. Papunësia ka rënë nga 10 për qind në momentet më të rënda të recesionit në 4.9 përqind.

Normat e ulëta të interesit ndihmojnë punësimin, por gjithashtu mund të shkaktojnë një rritje të dëmshme të inflacionit. Banka Qendrore Amerikane bëri një ngritje të lehtë të normave të interesit dhjetorin e kaluar, dhe shumë investitorë presin një rritje tjetër në muajin e ardhshëm.

Zonja Yellen thotë se mbajtja e normave të interesit në nivele tepër të ulëta për një kohë të gjatë mund të inkurajojë investimet e rrezikshmërisë së lartë dhe mund të minojnë stabilitetin financiar. Nëse normat e interesit mbahen në nivele shumë të ulëta, inflacioni mund të rritet ndjeshëm dhe mund të detyrojë Bankën Qendrore të ngadalësojë ekonominë duke rritur menjëherë normat e interesit, një veprim që do të prishte planet e bizneseve dhe investitorëve.

Janet Yellen, Kryetarja e Bankës Qendrore Amerikane, thotë:

"Nëse zyrtarët e Bankës Qendrore do të shtynin për një kohë të gjatë vendimin për rritjen e normave të interesit, në të ardhme ata do të mund të detyrohen t’i rrisin ato në një mënyrë relativisht të shpejtë."

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka propozuar shkurtimin e taksave dhe rritjen e shpenzimeve për projekte të infrastrukturës dhe për ushtrinë, në një përpjekje për të rritur punësimin. Kritikët thonë se kjo gjithashtu mund të rrisë inflacionin.

Zoti Trump ka qenë kritik i Bankës Qendrore Amerikane, dhe zonja Yellen të enjten u përball me pyetje rreth ndikimit që propozimet e tij mund të kenë mbi ekonominë. Janet Yellen tha se zyrtarët e Bankës Qendore do të presin për më shumë qartësi:

"Kur të ketë më shumë qartësi në lidhje me politikat ekonomike që mund të hyjnë në fuqi, komisioni duhet të marrë parasysh vlerësimet mbi ndikimin që ato mund të kenë mbi punësimin dhe inflacionin dhe ndoshta duhet të pështasë parashikimet tona në varësi të situatës."

Ndërkohë, Janet Yellen tha se tregu i punës ka ende hapësirë për përmirësim, veçanërisht për afrikano-amerikanët dhe hispanikët.

XS
SM
MD
LG