Lidhje

Jemeni parandalon një komplot të al-Kaidës


Autoritetet e Jemenit thanë se kanë parandaluar një komplot të al Kaidës për marrjen e dy qyteteve jugore dhe për të sulmuar objektet strategjike të naftës dhe gazit aty pranë. Zyrtarët thanë se plani i al-Kaidës ishte rrëmbimi ose vrasja e të huajve që punojnë në këto objekte.

Njoftimi vjen ndërkohë që një goditje me avion të telekomanduar, që besohet se është ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara, la të vrarë të paktën 7 anëtarë të al-Kaidës në Jemen. Paralajmërimet për sulme të mundshme të al-Kaidës bënë që Uashingtoni të mbyllte përkohësisht misionet diplomatike në disa vende të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës.

Rajeh Badi, zëdhënës i kryeministrit të Jemenit, tha sot se në komplot ishin përfshirë dhjetra militantë të al-Kaidës të veshur me uniformat e ushtrisë jemenase, që do të sulmonin qytetet Mukalla dhe Ghayl Bawazeer.

Ai tha se operacioni përfshinte plane për të marrë terminalin e naftës Mina al-Dhaba që administrohet nga Kanadaja si dhe një tjetër objekt strategjik pranë Ghayl Bawazeerit, ndërkohë që militantë të tjerë do të përpiqeshin të hidhnin në erë naftësjellësit, duke kërcënuar eksportet jemenase të naftës.

Zëdhënësi tha se komploti ishte parandaluar duke dislokuar trupa të tjera pranë objekteve në fjalë si dhe duke ndaluar rreptësisht hyrjen e njerëzve në këto objekte.
XS
SM
MD
LG