Lidhje

Vështrimi i yjeve dhe ndotja prej dritës


Qielli me yje gjatë natës është diçka mjaft e bukur për t’u soditur. Por ndërsa dritat në rrugët dhe lagjet e qyteteve të mëdha qëndrojnë të ndezura, është mjaft e vështirë të shohësh yje. Për këtë arsye astronomë, astrologë dhe politikanë janë në kërkim të mënyrave për të zvogëluar ndotjen nga drita.

Ndërkohë që dielli perëndon mbi Universitetin e Kolorados, astronomët përgatisin teleskopët nën dritat me filtër të kuq për të mbrojtur shikimin e tyre gjatë natës.
Drejtori i observatorit Fabio Mezzalira thotë se drita e bardhë i heq shumicës së njerëzve aftësinë e shikimit gjatë natës për të paktën 30 minuta.

Meqënëse tani ka shumë dritë, yjësi mjaft të ndritshme janë duke u bërë më të vështira për t’u parë dhe vrojtimi i yjeve është shndërruar në një përvojë shumë ndryshe nga ç’ishte një shekull më parë.

"Më parë, njerëzit e nihnin qiellin. Ata e kuptonin atë. E shinin çdo natë, sepse nuk kishte ndotje prej dritave."

Ndotja prej dritave është tani diçka e zakonshme, siç tregojnë këto pamje. Kaq shumë dritë mund të ndikojë tek shëndeti i njerëzve duke ndërprerë ciklin natyror të gjumit, thotë gazetari Paul Bogard.

"Jeta është evoluar në ditë të ndritshme dhe netë të errëta. Ajo ka nevojë për errësirë që të jetë me të vërtetë e shëndetshme."

Në librin e tij “Fundi i natës”, zoti Bogard thotë se ne duhet të jemi në gjendje të shohim shumë më tepër yje.

"Jemi duke humbur mundësinë e të parit rreth 95, 96 dhe në disa raste 99 për qind të yjeve që duhet të mund të shihnim."

Llampat dhe shenjat ndriçuese rreth nesh fshehin galaktikat dhe harxhojnë energji elektrike. Për të parë më mirë yjet, Shoqata Qielli i Errët rekomandon ndriçim të rrugëve dhe trotuareve me drejtim nga lart poshtë.

Qyteti Boulder në Kolorado ka realizuar disa nga këto ide me anë të një urdhërese për ndotjen nga dritat. Tani ndriçimi në qendrat tregtare është më i butë dhe disa lagje nuk kanë fare drita në rrugë.

"Katër çiklistë sapo kaluan me drita në kokoret e tyre, duke ngarë biçikletat të kënaqur."

Në Universitetin e Kolorados, vizitorët pëlqejnë shumë të shohin yjet përmes teleskopëve.

Zoti Mezzalira thotë se yjet i lënë mbresa njerëzve. Ata i kanë lënë mbresa dhe atij vetë.

"Herën e parë që me të vërtetë kuptova ekzistencën e universit rreth meje isha rreth 11 vjeç. Po pushoja në rërë në një plazh dhe nuk kishte fare ndotje nga drita. Yjet ishin të mrekullueshëm. Qielli vezullonte prej tyre."

Shoqata Ndërkombëtare Qielli i Errët ofron modele për plane ndriçimi për ato komunitete që duan të kufizojnë ndotjen e dritës dhe të lejojnë që yjet të mund të shihen.
XS
SM
MD
LG