Lidhje

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs do të largohet nga posti


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs do të largohet nga posti
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs do të largohet nga posti

Zëdhënësi i presidentit amerikan Barak Obama tha se ai do largohet nga detyra, një nga ndryshimet e fundit që ka kaluar administrata e presidentit Obama para se të fillojë punën me kongresin e ri.

Sekretari i shtypit Robert Gibbs do të largohet nga posti në fillim të muajit të ardhshëm. Emri i pasuesit të tij nuk është bërë publik. Ai pritet të vazhdojë të këshillojë Shtëpinë e Bardhë nga jashtë.

Në një deklaratë, presidenti Obama tha se gjatë gjashtë viteve të fundit, zoti Gibbs ka qenë mik i ngushtë, një nga këshillarët e tij më të afërt, dhe një mbrojtës efikas në shtyp rreth punës së administratës. Zoti Obama tha se ndryshimi sjell disa sfida dhe mundësi për Shtëpinë e Bardhë, por nuk e ndryshon rolin e rëndësishëm që zoti Gibbs do të vazhdojë të luajë për Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti pritet të riorganizojë stafin e tij ndërkohë që përgatitet për t’u rizgjedhur në postin e presidentit në zgjedhjet e vitit 2012. Këshilltari i lartë politik David Axelrod do të shkojë në Çikago për të udhëhequr përpjekjet për rizgjedhjen e presidentit ndërkohë që menaxheri i fushatës presidenciale të zotit Obama, David Plouffw, pritet t’i bashkohet ekipit të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas një agjencie amerikane lajmesh, presidenti Obama po shqyrton emërimin e William Daley në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Daley ka qenë sekretar i departamentit të tregëtisë në administratën e ish presidentit Bill Clinton, dhe është vëllau i kryetarit të Bashkisë së Çikagos Richard Delay.

Presidenti Obama gjithashtu pritet të bëjë publik emrin e zëvendësuesit të Larry Summers, i cili ka kryesuar këshillin e këshilltarëve ekonomikë.

XS
SM
MD
LG