Lidhje

Sfidat e ekonomisë shqiptare


Ekonomistë të njohur debatojnë mbi vështirësitë aktuale të ekonomisë dhe rrugëdaljet për zhvillim dhe investime më të mëdha.

Qeveria shqiptare rriti përsëri pagat e administratës, mësues, mjekë, infermierë, bashkiakë, komunarë dhe një mori punonjësish të tjerë. Zëdhënësja e qeverisë, Erla Mëhilli, theksoi se kjo rritje pagash erdhi nga gjendja e mirë ekonomike e vendit dhe u bë me paratë e mbledhura nga taksat dhe tatimet. Sipas saj, që nga viti 2006 deri më sot qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e pagave dhe pensioneve.

Por, ku mbështetet kjo siguri e qeverisë për rritje periodike të pagave dhe të investimeve publike në valën e një krize serioze të ekonomisë në Europë? Anëtari i komisionit të ekonomisë, deputet i PD-së, Sherefedin Shehu, thotë se ky optimizëm i qeverisë vjen nga rritja ekonomike, edhe pse ajo nuk është më në nivelet e mëparshme.



“Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike pozitive. Kjo rritje vazhdon të jetë e moderuar. Shqipëria akoma është në kufijtë e rritjes 3 për qind. Këtë vit besoj që përsëri në fund të kemi një rezultat rreth kësaj shifre. Derisa ka rritje ekonomike, është normale të ketë edhe rritje pagash” - tha zoti Shehu.

Por analistë të tjerë mendojnë se kriza ka prekur burimet kryesore të ekonomisë shqiptare si tregtia, investime të huaja dhe prurjet e emigrantëve. Zef Preçi drejtues i Qendrës për Studime Ekonomike, mendon se ekonomia shqiptare është pothuajse në stanjacion, në ngadalësim.

“Ekonomia shqiptare është pothuajse në stanjacion. Tremujorin e parë ka shënuar një rënia 0,2 për qind dhe siç thotë guvernatori i Bankës, po ashtu pritet edhe tremujori i dytë. Kjo është një sirenë alarmi për nevojën e mirëmenaxhimit të financave publike, përmirësimin e klimës së biznesit, për nxitjen e prodhimit vendas dhe të eksporteve” - thotë zoti Preçi.

Nga rritja e pagave përfituan më shumë nivelet e mesme dhe të ulëta të administratës dhe qeveria beson se kështu po mbështet konsumin dhe mirëqenien e një shtrese e cila ka nevojë për nxitje. Por pse qeveria i përdor këto fonde për rritje pagash, kur mund t’i përdorte për uljen e borxhit publik? Zoti Shehu thotë se nuk është koha për të ulur borxhin, sepse në kohë krize kjo bëhet vetëm me masa shtrënguese. Në kohë krize duhen mbështetur njerëzit dhe ekonomia, ndërsa shkurtimet nuk janë të mirëpritura, siç duket edhe në vende të tjera, që po bëjnë shkurtime.

Nga ana tjetër, zoti Preçi thotë se në periudha krizash rritet shumë edhe evazioni fiskal dhe informaliteti në ekonomi, ndaj kjo është fusha ku qeveria duhet të marrë më shumë masa, sepse evazioni ëshë sipas tij, rreth 30 për qind. Kriza sipas tij kalon me një kreditim më të mirë nga bankat.

Deputeti Shehu thotë se Shqipëria ka potenciale të konsiderueshme ekonomike për të tejkaluar krizën, dhe këtë e tregon rritja ekonomike pozitive, madje ai mendon se rritja e borxhit me vetëm 1 për qind do ta nxiste shumë më tepër ekonominë e vendit.

“Mendoj që ndoshta rritja prej një për qind e stokut të borxhit do të zgjidhte ngërçin e ekonomisë shqiptare dhe do të ishte një stimul i fuqishëm. Shqipëria ka praktikisht ka në zbatim projekte të mëdha infrastrukturore. Mbyllja në kohë e tyre sot për sot nuk mund të realizohet ndryshe, veçse me një rritje të këtij borxhi me një për qind. Kjo rritje do të bëjë të mundur përfundimin e këtyre projekteve, dhe paratë që do të hidehn në ekonomi do të qarkullojnë disa herë. Përmes këtyre parave do të ushqehet gjithë zinxhiri ekonomik, jo vetëm projektet që janë në punë e sipër, por edhe furnizuesit e tyre, furnizuesit e furnizuesve të tyre etj. me radhë gjithë zinxhiri ekonomik do të zhbllokohej në këtë mënyrë dhe kjo rritje do të ishte një karburant shumë i mirë” - thotë zoti Shehu.


Por zoti Preçi thotë se qëndrueshmëria makro-ekonomike e Shqipërisë është tashmë e brishtë dhe nuk le hapësira për shumë manovra financiare. “Megjithë rritjet e shënuara, ky stabilitet është i cënuar dhe do të ishte e dëshirueshme të ecte më tej me reformat në fushën e tregtisë dhe konkurrencës” - thotë zoti Preçi.

Ekonomia është kthyer vërtet në një temë kryesore të debateve në qarqet politike, shkencore, prodhuese, tregtare dhe në opinionin publik, pavarësisht se kohën më të gjatë të diskutimeve në parlament e marrin çështje periferike, me akuza dhe replika të ndërsjellta mes politikanëve.
XS
SM
MD
LG