Lidhje

Zëvendësimi i valvolës në aortë pa ndërhyrje kirurgjike


Një spital në Lincoln të shtetit Nebraska është një nga spitalet e para në Shtetet e Bashkuara që kryen një procedurë të re për zevendësimin e valvës së aortës në zemër pa ndërhyrje kirurgjike. Për këtë dhe të reja të tjera nga fusha e mjeksësisë, kolegu Astrit Lulushi sjell hollësi

Zëvendësimi i valvolës në aortë pa ndërhyrje kirurgjike

Pacientët me stenozë të aortës – kur një prej valvolave (kllapave) të zemrës ngushtohet – tani mund të kenë një tjetër mundësi trajtimi. Procedura është për pacientët të cilët konsiderohen me rrezik të lartë, ose nuk mund të operohen duke u hapur zemrën.

Gjatë kësaj procedure, mjekët përdorin një kateter duke e futur në kofshë të pacientit. Një valvë e re vendoset në zemër nëpërmjet këtij kateteri. E gjithë procedura zgjat rreth dy orë dhe periudha e shërimit është përgjithësisht shumë e shpejtë. Kjo mënyrë u miratua nga administra e ushqimeve dhe barnave (FDA) nëntorin e kaluar, dhe që nga ajo kohë spitali Nebraska Heart ka kryer dy procedura të tilla.

Ushqimet organike – sa të sigurta janë?

Një studim i ri tregon se arseniku është i pranishëm në ushqime, duke përfshirë disa formula ushqyese për foshnjet dhe biskotat e energjisë për të rriturit.

Prindërit ndjehen të sigurt se kur u japin fëmijëve të tyre ushqime organike – të prodhuara pa ndihmën e kimikateve. Por një studim i ri thotë se disa ushqime për foshnje përmbajnë arsenik – substancë që mund të rrisë rrezikun e kancerit.

Studiuesit në universitetin Dartmouth thonë se kanë gjetur nivele të papranueshme arseniku në disa formula organike si dhe në disa lloje biskotash që të rriturit i përdorin për të nxitur energjinë. Arsenik është lidhur me shurupin e orizit ngyrë kafeje – i përdorur në këto prodhime për të zevendësuar shurupet që kanë nivel të larta fruktoze.

Orizi është një prej bimëve që e thith arsenikun nga toka në formë të koncentruar, por përdorimi i shurupit të orizit organik në ngjyrë kafeje shihet si një mënyrë për të shmangur nga ushqimet shurupet e tjerë me nivel të lartë fruktoze.

Studimi nuk jep emrin e formulës për foshonjet, por sipas rrjetit televiziv amerikan ABC News, dy formulat e provuara për nivele më të larta arseniku janë “Toddler Dairy” dhe Toddler Soy” , që shiten nga firma Nature’s One Inc. Biskotat e energjisë përbëjnë më pak shqetësim, nëse nuk zenë një vend të madh në dietë

Në një deklaratë të firmës Natyre’s One Inc., me bazë në Kaliforni, thuhet se prodhuesi i shurupit të orizit organik përdor një laborator të pavarur për të analizuar nivelin e arsenikut dhe i siguron konsumatorët se prodhimet janë të shëndetëshme.

Shqetësime në rritje ndaj barnave të falsifikuara

Ekziston një frikë se barnat e falsifikuara janë në rritje. Kohët e fundit, autoritetet britanike njoftuan Administratën amerikane të ushqimeve dhe barnave se në disa farmaci kishin zbuluar Avastin të fallsifikuar me etiketa të shkruara frëngjisht. Shishet me ilaçin e vërtetë Avastin përmbajnë etiketa në anglisht me emrin e firmës prodhuese Genentech.

Avastin është një ilaç i rëndësishëm kundër kancerit, por Avastin i falsifikuar nuk përmban asnjë substancë kundër kancerit. Ilaçi i rremë u ishte shitur klinikave dhe farmacive në Angli nga një firmë e paliçensuar furnizimi në Evropë. Autoritetet amerikane kanë zbuluar se edhe disa klinika në 3 shtete – Kaliforni, Teksas, Illinois – pa e ditur, u kanë dhënë pacientëve Avastin të rremë. Dyshohet se ilaçi i rremë prodhohet diku jashtë Amerikës dhe pastaj u shitet klinikave në botë.

Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, për shembull, në vitin 2003, kur u zbuluan 200 mijë shishe me Lipitor të falsifikuar, ose raste në internet me shurupe të rremë kundër gripit apo barna dietike të falsifikuara.

Më shumë se 1 në 10 fëmijë amerikanë jetojnë me një prind alkoholik

Eshtë e çuditshme se sa shumë amerikanë rriten si fëmijë alkoholikësh dhe se si kjo përvojë mund t’i dëmtojë ata. Mbi 1 në 10 fëmijë në Shtetet e Bashkuara kanë një prind alkoholik. Këto shifra dalin nga një studim i ri i Administratës së Shërbimeve të Shëndetit Mendor dhe Kundër Shpërdorimit të Drogave – SAMHSA.

Kjo agjenci federale – pas shqyrtimit të të dhënave nga viti 2005 – 2010, arriti në përfundimin se mesatarisht 7 milionë e 500 mijë fëmijë kishin jetuar gjatë asaj periudhe me një prind pijanec. Ky numër përbën 10.5 përqind të popullsisë amerikane nën moshën 18 vjeç.

Dhe shpërdorimi i alkoholit nga prindërit lë pasoja, duke i bërë fëmijët të jenë më në rrezik ndaj problemeve mendore si depresioni dhe ankthi; dhe më të ngjarë për të vuajtur nga keqtrajtimi ose moskujdesja prindërore. Agjencia e shërbimeve të shëndetit mendor e cilëson këtë një problem shumë të madh për shëndetin publik, duke theksuar rëndësinë e parandalimit të drogave, dhe të pijeve alkoholike për fëmijët nën moshën e lejueshme.

XS
SM
MD
LG