Lidhje

SHBA, zgjatet ligji për sanksionet ndaj Iranit


Këtu në Shtetet e Bashkuara, Senati i dha miratimin përfundimtar një zgjatjeje në kohë të ligjit për sanksionet amerikane kundër Iranit që ligjvënësit e të dyja partive thonë se është me rëndësi kritike për zbatimin e marrëveshjes bërthamore ndërkombëtare me Teheranin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman, Akti i Sanksioneve ndaj Iranit tani kalon në Shtëpinë e Bardhë pas miratimit në Senat me 99 vota pro dhe asnjë kundër.

Sipas udhëheqësit republikan të Senatit, Shtetet e Bashkuara duhet të ruajnë mjetet e kontrollit kur është fjala për Iranin.

“Mbajtja e këtyre sanksioneve është kritike duke patur parasysh sjelljen shqetësuese të Iranit për agresion dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të zgjeruar sferën e ndikimit në Lindjen e Mesme,”tha republikani Mitch Mcconnell.

Të vendosura dy dekada më parë, sanksionet lidhen me shqetësime të tilla amerikane si mbështetja e Iranit ndaj terrorizmit ndërkombëtar. Ato u hoqën pjesërisht pas marrëveshjes bërthamore që nisi të zbatohej vitin e kaluar. Sipas një ligjvënësi të njohur demokrat, ato duhet të mbahen gati.

“Plani i Përbashkët i Veprimit parashikon rivendosjen e sanksioneve në rast se Irani shkel dispozitat e marrëveshjes. Për të pasur mundësinë e rivendosjes së tyre, duhet që regjimi i sankioneve të qëndrojë në fuqi.”

Zyrtarët iranianë thonë se rivendosja e sanksioneve shkel marrëveshjen bërthamore dhe do të ketë pasoja.

“Ata po frikësohen. Iranianët janë mjaft të angazhuar për marrëveshjen dhe e kuptojnë se ligje të tilla si Akti për Sanksionet ndaj Iranit, që kanë qënë në fuqi për një kohë të gjatë –ka të ngjarë të rinovohen.”

Presidenti i ardhshëm amerikan e ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjen bërthamore.

“Marrëveshja më e keqe e të gjitha kohërave; një marrëveshje që absolutisht i jep Iranit armë bërthamore. Irani duhet të na shkruajë një letër tjetër falenderimi”.

“Unë jam kundër prishjes së marrëveshjes. Presidenti Trump, nëse vërtet kërkon një marrëveshje që mbulon pikat kryesore të inspektimeve bërthamore dhe ndoshta një përfundim më të mirë të procesit, duhet që së bashku me aleatët tanë, të ushtrojë një presion më të madh mbi Iranin.”

Tani për tani, kongresi po i mban në fuqi sanksionet.

“Sado me të meta që është ky akt, për mendimin tim, iranianët do të dinë pasojat e çdo shkeljeje dhe ne do të shohim përhapjen e raketave, terrorizmin, destabilizimin rajonal që janë po aq të rrezikshme dhe kërcënuese për sigurinë e Amerikës.”

Akti i Sanksioneve të Iranit u miratua njëzëri në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e kaluar me 419 vota pro dhe 1 kundër. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Obama ka autoritet të mjaftueshëm për të vendosur masa ndërshkuese ndaj Iranit – me ose pa një ligj specifik.

XS
SM
MD
LG