Lidhje

SHBA, Së shpejti fillojnë votimet e hershme


Mbeten dy muaj deri në ditën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, por disa votues amerikanë mund ta hedhin votën e tyre që këtë muaj, ende pa u zhvilluar debati i parë mes kandidatëve presidencialë.

Mbi 2/3 e shteteve amerikane lejojnë që zgjedhësit të hedhin votat para datës 8 nëntor kur zhvillohen zgjedhjet. Këto shtete ofrojnë mënyra për ta dërguar votën me postë, nëse personi nuk shkon dot në qendrën e votimit në ditën e zgjedhjeve.

Pjesa më e madhe e zgjedhësve që votojnë para 8 nëntorit, e hedhin votën vetëm 2-3 javë përpara, por në disa shtete votimi mund të fillojë që në 23 shtator.

Javët e fundit para datës së votimit janë shumë të rëndësishme për kandidatët, të cilët bëjnë reklama dhe fushatë intensive. Po ashtu zhvillohen edhe tre debate që ndikojnë për të bindur zgjedhësit e lëkundur.

Katër vjet më parë në këtë kohë, Presidenti Obama dhe rivali i tij Mitt Romney ishin thuajse barabar në një numër anketash. Por në dy muajt e fundit, opinioni publik anoi dukshëm nga ana e presidentit. Nga fundi i shtatorit, zoti Obama kishte një epërsi të ndjeshme; në fillim të tetorit doli përpara zoti Romney, por në ditën e zgjedhjeve ai ishte pas presidentit në anketa me 1 pikë diferencë. Presidenti Obama i fitoi zgjedhjet me afro katër pikë diferencë.

Në 2004, Presidenti George W. Bush në fillim të shtatorit ishte afro gjashtë pikë përpara rivalit demokrat John Kerry. Por në tetor, zoti Kerry avancoi duke e ngushtuar diferencën në 1.5 pikë. Në zgejdhje ai humbi përballë Presidentit Bush me një diferencë prej 2.5 pikësh.

Në garën aktuale, si zoti Trump, ashtu edhe zonja Clinton kanë planifikuar tubime me rastin e Ditës së Punës që nderon punëtorët amerikanë. Ata do të takohen me punëtorë në Klivland të shtetit Ohajo, një ndër shtetet e rëndësishme në këtë garë.

Më pas zoti Trump do ta vazhojë fushatën në Jangstaun të Ohajos, ndërsa zonja Clinton do të shkojë në Hampton të Ilinoit ku ajo gëzon epërsi të dukshme përballë rivalit republikan.

Grafika e garës aktuale tregon se gjatë këtij viti, demokratja Hillary Clinton për 4-6 javë radhazi krijonte epërsi, por pas një tubimi apo aktiviteti zoti Trump e ngushtonte diferencën.

Në fund të gushtit zonja Clinton e kishte thelluar diferencën duke arritur një epërsi prej gjashtë pikësh, por aktualisht kandidati republikan ka avancuar dhe tani zonja Clinton kryeson me katër pikë.

Anketat tregojnë gjithashtu se gjysma e votuesve të regjistruar kanë një përshtypje negative për të dy kandidatët.

XS
SM
MD
LG