Lidhje

Zhvillimet politike në Afganistan


Udhëheqësit e Afganistanit dhe Shteteve të Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje të partneritetit strategjik që përcakton angazhimin e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara në Afganistan pas tërheqjes së trupave luftarake amerikane. Pjesa më e madhe e përgjegjësive të trupave amerikane dhe trupave aleate në Afganistan kanë qenë të lidhura me sigurinë. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas, zhvillimet politike nuk kanë ecur me të njejtin hap që kanë ecur zhvillimet në fushën e sigurisë.

Marrëveshja e re bën thirrje për një partneritet të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit pas tërheqjes së planifikuar të trupave luftarake amerikane në fund të vitit 2014. Kjo përfshin vazhdimin e ndihmës financiare amerikane për trajnimin, pajisjen, këshillimin dhe mbështetjen e ushtrisë dhe policisë afgane. Marrëveshja bën thirrje gjithashtu për forcimin e institucioneve qeveritare afgane.

Said Tayeb Jawad, ish ambasadori afgan në Shtetet e Bashkuara, thotë se përpjekja e Shteteve të Bashkuara dhe shpenzimet në drejtim të zhvillimeve politike kanë mbetur prapa në krahasim me ndërtimin e institucioneve të sigurisë.


“Kalimi i përgjegjësive të sigurisë tek forcat afgane të sigurisë, tranzicioni gradual i ekonomisë afgane nga një ekonomi kontraktuale në një ekonomi private është duke u zhvilluar në një mënyrë më të organizuar se sa tranzicioni politik”.


Strukturat qeveritare afgane janë ngritur në bazë të Marrëveshjes së Bonit të vitit 2001, e miratuar pas largimit të talibanëve nga pushteti. Kjo marrëveshje bën thirrje për një sistem presidencial me një parlament dhe gjyqësor. Megjithatë, analistët thonë se qeveria është përfshirë nga korrupsioni dhe nuk është e aftë të zbatojë ligjet e saj në shumë pjesë të vendit, madje edhe me mbështetjen perëndimore.

Duke shprehur pikëpamjet e tij, profesor Larry Goodson i Kolegjit Amerikan të Luftës thotë se fokusi kryesor i NATO-s për zhvillimin e strukturave të sigurisë, është t’i lejohet forcave perëndimore një strategji daljeje, pavarësisht nga gjendja e institucioneve politike afgane.


“Puna është përqëndruar në ngritjen e forcave afgane të sigurisë. Dhe nëse kjo ndodh në një nivel të pranueshëm nga forcat e NATO-s, atëherë tërheqje mund të ndodhë, pavarësisht nëse qeveria është funksionale dhe e aftë për të qeverisur”.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Bonit, Afganistani ka pasur një udhëheqës ekzekutiv, Hamid Karzain. Por mandati i tij mbaron në vitin 2014, vit kur forcat luftarake amerikane do të largohen nga vendi dhe sipas kushtetutës, ai nuk mund të garojë për një mandat të tretë. Analistët thonë se nuk ka pasardhës të qartë të zotit Karzai, pjesërisht për shkak se të rinjtë nuk janë duke u përgatitur në mënyrë sistematike për të marrë pozita të larta politike.


Edhe zhvillimi i partive politike ka hasur në vështirësi. Ish diplomati i lartë amerikan Mike Malinowski, i cili ka përvojë të gjerë në Azinë Jugore, thotë se ekziston një mosbesim historik për partitë, sepse ato ishin të përfshira thellësisht në luftën civile të viteve 1990, e cila çoi në ardhjen e talebanëve në pushtet.

Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me elementë talebanë dhe po përpiqen t’i sjellin ata në tryezën e bisedimeve. Ish-ambasadori afgan, Jawad, thotë se talebanët mund të jenë të gatshëm për ndarjen e pushtetit, por ata do të këmbëngulin për kontrollin e sistemit gjyqësor i cili tani nuk funksionon si duhet.


“Ata janë të interesuar për pushtet politik. Por nuk është e qartë nëse ata janë të interesuar për ndarjen e pushtetit politik apo vetëm duan kontrollin e plotë të pushtetit. Nëse nuk ka një mekanizëm për monitorimin dhe zbatimin e negociatave në Afganistan, ata do të jenë të kënaqur me ndarjen e pushtetit, dhe pastaj do të luftojnë për dominim të plotë”.

Sherard Cowper-Coles, ish-ambasador britanik në Afganistan dhe ish-Përfaqësuesi Special në Afganistan dhe Pakistan, është në favor të zhvillimit të negociatave me talebanët. Cowper-Coles la shërbimin diplomatik në vitin 2010 për shkak të mospërputhjes së qëndrimeve me qeverinë e tij në lidhje me politikën ndaj Afganistanit dhe shkroi një libër mbi përvojën e tij me titull Cables from Kabul. Ai thotë se një zgjidhje politike mes qeverisë afgane, talebanëve dhe fqinjëve të Afganistanit është thelbësore për stabilizimin e institucioneve politike dhe qeveritare.

“Kemi një kushtetutë e cila është jofunksionale dhe nuk përfill historinë politike dhe gjeografinë e Afganistanit. Por mbi të gjitha, nuk ekziston një marrëveshje me armikun, me kryengritësit talebanë. Nuk ka një marrëveshje me fqinjët e Afganistanit. Unë jam i frikësuar se ky është një opinion tepër i zymtë”.

Afganistani pritet të jetë në krye të axhendës në takimin e NATO-s që do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Çikago.

XS
SM
MD
LG