Lidhje

Protesta ndaj vendimit në çështjen Zimmerman


Protesta paqësore, por të ngarkuara me emocione kanë shpërthyer në një numër qytetesh amerikane pasi një banor i Floridës u shpall i pafajshëm lidhur me akuzat për vrasje me paramendim dhe vrasje aksidentale, në gjyqin që pasoi vdekjen e një adoleshenti afrikano-amerikan vjet. Presidenti Barak Obama bëri thirrje për qetësi dje, pas shpalljes së vendimit. Në një deklaratë me shkrim, zoti Obama e cilëson vdekjen e adoleshentit Trayvon Martin një tragjedi si për familjen ashtu edhe për Amerikën. Por ai bëri thirrje për reflektim paqësor duke shtuar, “ne jemi një vend ku sundon ligji, dhe trupi gjykues e tha fjalën e tij”.

Vendimet gjyqësore në çështje të ngarkuara me ngjyrime racore kanë shkaktuar në disa raste protesta dhe trazira masive. Në vitin 1992 disa policë të Los Anxhelosit u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për rrahjen e një afrikano-amerikani. Vendimi u pasua me protesta të dhunshme, akte vandalizmi, plaçkitje dhe kaos. Dhjetra vetë gjetën vdekjen, qindra të tjerë u plagosën dhe dëmet materiale kapën shumën 1 miliard dollarë.

Në dallim nga trazira të tilla, protestat pas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarit George Zimmerman kanë qenë relativisht paqësore. Të shtunën në mbrëmje, trupi gjykues i përbërë nga gjashtë gra, deklaroi vendimin në një ndër proceset gjyqësore që tërhoqën vëmendjen më të madhe publike gjatë viteve të fundit:

Një ndër avokatët e familjes së 17-vjeçarit të vrarë Trayvon Martin, dha komente në programin Fox News Sunday. Darryl Parks e cilësoi si të pabesueshëm vendimin, por tha se familja Martin do që publiku të reagojë pa dhunë.

“Ky është vendimi i trupit gjykues. Ne e pranojmë vendimin, por nuk jemi dakord me të”.

Në vitin 2012, George Zimmerman, gjatë një patrullimi vullnetar të lagjes ku banonte, pa 17-vjeçarin Trayvon Martin duke ecur nëpër lagje. Të dy ata u ngacmuan me fjalë, gjë që çoi në ballafaqim, si rezultat ata u përleshën dhe incidenti përfundoi me vrasjen e adoleshentit nga Zimmerman.

Seanca gjyqësore nxori në pah dëshmi kundërthënëse lidhur me personin që ishte nismëtari i konfliktit dhe me pyetjen nëse Zimmerman kishte reaguar në vetëmbrojtje.

Anëtari i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, republikani Orrin Hatch u shpreh se u dha vendimi i duhur. Ai i bëri komentet në programin This Week:

“Nëse procesi bazohet mbi kushtin se duhet provuar fajësia përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, duhet të pranojmë se kishte plot dyshime të arsyeshme lidhur me fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit”.

Megjithëse është shpallur i pafajshëm në një gjykatë penale, Zimmerman mund të nxirret përsëri në gjyq, këtë radhë në një gjykatë civile nëse familja Martin ose Departamenti i Drejtësisë vendosin të ndjekin këtë pistë.
XS
SM
MD
LG