Lidhje

SHBA: Zjarrfikësit luftojnë zjarret në perëndim


Zjarrfikësit po luftojnë dhjetra zjarre në perëndim të Shteteve të Bashkuara. Ndërsa rrufetë dhe aktivitetet njerëzore janë fajësuar kryesisht për këto zjarre, një studim i ri tregon se situata me zjarret po keqësohet si pasojë e një bote më të ngrohtë. Siç mësojmë nga korrespondentja Rosanne Skirble – një raport i ri thotë se përmbytjet shkatërruese të vitit të kaluar, thatësirat dhe stuhitë u përkeqësuan nga ndryshimi i klimës, i shkaktuar nga njeriut përmes djegies së lëndëve fosile në makinat tona, fabrikat dhe shtëpitë.

Asnjë provë deri tani nuk kishte lidhur ndryshimin e klimës me përmbytjet specifike, thatësirat apo stuhitë. Një raport i ri i publikuar nga agjencitë britanike dhe amerikane të klimës analizon 12 ngjarje ekstreme të motit nga ekipet e shkencëtarëve në mbarë globin. Thomas Karl është drejtor i Qendrës Kombëtare NOAA të të Dhënave Klimatike.

"Analizat zbulojnë dëshmi bindëse se ndryshimi klimatik i shkaktuar nga njeriu ishte një faktor kontribues në ngjarjet ekstreme."

Shkencëtari i NOAAs Thomas Peterson thotë se modelet natyrale të motit dhe ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu janë faktorët që ndikojnë në intensitetin dhe evolimin e ngjarjeve. Ai thotë se ndërsa vala e të nxehtit pranverën dhe verën e vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara i janë atribuar dinamikës normale atmosferike, shkencëtarët e klimës kanë zbuluar se kjo nuk është e gjithë historia:

“Ata llogarisin se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit kontribuan në gati një të tretën e kësaj nxehtësie. Ose lidhur me rrezikun, ngrohtësia e efektit serë ka sjellë një largim të madh nga temperaturat normale në pranverë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara.”

Raporti fajëson gjithashtu njerëzit për ndryshimet klimatike që kanë sjell ngrohjen e oqeaneve dhe shkrirjen e akullit në Arktik.
Por Thomas Karl i NOAAs thotë se kjo nuk kishte të bënte me uraganin Sandy, stuhija shkatërruese që goditi Nju Xhersin dhe Nju Jorkut tetorin e kaluar. Edhe pse ishte një ngjarje e rrallë, Karl thotë se mund të kishte ndodhur në çdo rast.

“Ajo që na jep analiza është se me shtimin e nivelit të detit, raste si ky vështirësohen edhe më shpesh. Por në një numër ngjarjesh të tilla nuk arritëm të diktonim ndikimin e njeriut. ”

Rreshjet e shumta në Britani, Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Japoni erdhën kryesisht për shkak të ndryshimeve natyrore të klimës, ndërsa raporti dikton një lidhje mes ngrohjes klimatike dhe ndikimit njerëzor mbi natyrën në rreshjet që ndodhën në Australi dhe Zelandën e Re. Kjo sipas Karl nuk është e lehtë për t’u matur.

“Megjithatë ne po bëjmë përparim në mundësitë tona për t’i kuptuar këto ngjarje. Kjo vjen me rritjen e burimeve kompjuterike dhe përmirësimin e cilësisë së të dhënave. Me këto mjete ne vazhdojmë të marrim më shumë informacione mbi faktorët e shumtë që ndikojnë në frekuencën dhe intensitetin si dhe modelet hapësinore dhe kohore të ngjarjeve ekstreme.”

Karl shton se sa më shumë informacione të sakta të mbledhin shkencëtarët e klimës aq më shumë do të ndihmojnë ata drejtuesit e politikave publike dhe vetë publikun për të kuptutar më mirë dhe për të menaxhuar ndikimin e ndryshimeve klimatike. Raporti është publikuar në Buletinin Amerikan të Shoqatës Meteorologjike dhe përfshin punën e 78 shkencëtarëve në 11 vende të botës.
XS
SM
MD
LG