Zjarrfikësit rusë vazhduan sot përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret më të mëdha prej dekadash, ndërsa erërat e thata dhe një valë e padurueshme të nxehti vazhduan t’i ngadalësojnë këto përpjekje.
Zyrtarët thonë se 300 deri në 400 zjarre po shfaqen çdo ditë, sapo zjarrfikësit shuajnë ato ekzistuese. Duke pasur parasysh gjendjen e rënduar, Presidenti rus Dmitri Medvedev i mirëpriti ofertat e Ukrainës dhe Azerbaixhanit për të dërguar avionë zjarrfikës.
Po sot, u hapën kanale dhe u vendosën pemë të prera përreth disa prej objekteve kryesore bërthamore, pasi zjarri përparoi dje vonë në perimetrin e Qendrës Bërthamore Federale ruse në Sarov. Armët bërthamore ruse prodhohen në një kompleks në Lindje të Moskës.
Shefi rus i çështjeve bërthamore, Sergei Kiriyenko shkoi të vizitonte objektin sot, ndërsa avionë cisternë me ujë dhe qindra zjarrfikës përpiqeshin të mbronin qytetin e mbyllur.