Lidhje

Zyrtarë të BE-së anulojnë vizitën në Ukrainë për shkak të Timoshenkos


Qeveria e Ukrainës e quajti sot bojkotimin e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian "taktikë e luftës së ftohtë".

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian anuluan planet për të marrë pjesë në aktivitete në Ukrainë si protestë ndaj dënimit me burgim dhe trajtimit të ish- kryeministres Julia Timoshenko. Zonja Tymoshenko u dënua me shtatë vjet burg vitin e kaluar dhe është tani në gjykim nën akuzat për evazion fiskal.

Presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian, Jose Manuel Barroso njoftoi sot se ai do të ndjekë shembullin e Komisioneres së BE-së për Drejtësinë Viviane Reding, e cila tha se ajo nuk do të jetë e pranishme në ceremonialin e futbollit Euro 2012 në qershor.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar gjithashtu se ajo mund të bojkotojë të gjitha ndeshjet e Euro 2012-s në Ukrainë dhe pret që ministrat e saj të bëjnë të njëjtën gjë.

Ky turne, kampionati më i rëndësishëm i Europës në futboll për ekipet kombëtare, po organizohet së bashku nga Polonia dhe Ukraina nga 8 qershor deri më 1 korrik.

Po sot, Presidenti çek Vaclav Klaus anuloi vizitën në takimin e nivelit të lartë të Europës Qendrore të planifikuar për më 11 dhe 12 maj në Jaltë.

Zoti Klaus është presidenti i dytë që refuzon të shkojë në Ukrainë për takimin, pas presidentit gjerman Joachim Gauck.

Zonja Yulia Tymoshenko u dënua me shtatë vjet burg vitin e kaluar nën akuzat për shpërdorim të detyrës lidhur me një marrëveshje të vitit 2009 për importin e gazit me Rusinë. Ajo është tani në gjykim nën akuzat për evazion fiskal që mund ta zgjasin burgimin e saj në 12 vjet. Zonja Timoshenko i mohon akuzat dhe thotë se ato janë pjesë e një fushate të Presidentit Viktor Janukoviç për të eliminuar rivalen e tij më të fortë politike.

Ajo ka qenë në grevë urie për më shumë se një javë, pas pohimeve se ishte rrahur nga rojet e burgut. Disa mjekë gjermanë e diagnostikuan zonjën Timoshenko javën e kaluar me probleme të shpinës që ata thonë se nuk mund të trajtohen në Ukrainë, por qeveria e Kievit ka refuzuar kërkesat që ajo të lejohet të largohet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës Oleh Voloshin tha se shpreson që njoftimet se kancelarja gjermane Angela Merkel nuk do t’i ndjekë ndeshjet e futbollit që do të mbahen të Ukrainë ishin thjesht spekulime të shtypit dhe i bëri thirrje Gjermanisë të mos u kthehet metodave të Luftës së Ftohtë, duke e bërë sportin peng të politikës.

XS
SM
MD
LG