Qipro, zyrtarët diskutojnë masat e shpëtimit

Banka Qendrore Evropiane paralajmëroi se do t'i ndërpresë Qipros financimet e emergjencës nëse deri të hënën nuk bihet dakord për një plan të ri
Zyrtarët qipriotë u takuan përsëri sot për të dalë me një plan të ri që do të çonte në grumbullimin e 7.5 miliard dollarëve për të shmangur mospagimin e borxhit. Para dy ditësh ligjvënësit hodhën poshtë një propozim për taksimin e depozitave bankare të qytetarëve në masën deri në 10 përqind.

Grumbullimi i kësaj shume është i domosdoshëm për të siguruar financimin nga ana e Bashkimit Evropian për të shmangur falimentimin.

Banka Qendrore Evropiane paralajmëroi sot se do t'i ndërpresë Qipros financimet e emergjencës nëse deri të hënën nuk bihet dakord për një plan të ri. Bankat vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura këtë javë për të mos lejuar që klientët e përfshirë nga paniku të tërheqin paratë.

Krerët e partive politike të vendit u takuan sot me presidentin Nikos Anastasiadhes për të diskutuar mënyrën se si mund të shmanget falimentimi. Bankat e Qipros kanë para deri të hënën nëqoftëse nuk hartohet një plan për zgjidhjen e situatës.

Ndërkaq në Bruksel, kreu i ministrave të financave të Eurozonës deklaroi se çdo propozim i ri që Qiproja të marrë kredi shpëtimi duhet të përfshijë taksimin e depozitave bankare. Ai tha se barra e kësaj takse duhet të rëndojë mbi depozitat me më shumë se 100 mijë euro dhe se kjo taksë është e pashmangshme, po të kihet parasysh se sektori financiar i vendit është i mbingarkuar me kredi të këqia.

Rreth një e treta e depozitave bankare të Qipros u takojnë investitorëve rusë.

Kryeministri rus, Dmitri Medvedev, tha se plani i propozuar nga Eurogrupi është absolutisht absurd. Ai i bëri komentet sot në Moskë në një konferencë mbi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian.

"Ne mendojmë se skema e propozuar është e paparashikueshme," tha zoti Medvedev.

Por Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso tha se i kuptonte shqetësimet e Rusisë dhe ishte gati t'i diskutonte ato.

"Ky vendim ishte rrjedhojë e një kompromisi mes vendeve të Eurogrupit. Por unë jam i hapur të dëgjoj shqetësimet e homologëve tanë rusë," tha zoti Barroso.

Ekonomia e Qipros zë një përqindje fare të vogël në ekonominë e Eurozonës. Disa analistë shqetësohen se taksimi i depozitave në Qipro mund të krijojë një precedent të rrezikshëm duke bërë që edhe investitorët në vendet me borxhe të mëdha të Eurozonës të tërheqin paratë nga bankat.