Presidenti Zelenskiy bën vizitë të papritur në qytetin e rimarrë nën kontroll nga forcat ukrainase  

Presidenti ukrainas, Zelenskiy në Izium

Presidenti Volodymyr Zelenskiy bëri një vizitë të papritur të mërkurën në qytetin, Izium, që forcat ukrainase e rimorën nën kontroll nga forcat ruse. Qyteti është qendër kyçe logjistike në rajonin verilindor të Kharkivit.

Mijëra trupa ruse u larguan nga Iziumi në fundjavë, duke lënë pas sasi të mëdha municionesh dhe pajisjesh, në disfatën më të keqe për forcat ruse që kur u dëbuan nga periferia e kryeqytetit ukrainas Kiev, në mars.

“Ndoshta është e mundur të pushtohet përkohësisht territori i shtetit tonë. Por është absolutisht e pamundur të pushtosh popullin tonë,” tha ai në një ceremoni ku u ngrit flamuri kombëtar jashtë këshillit të qytetit të djegur të Izium.

Presidenti Zelensky vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se “Më parë, kur ngrinim sytë, gjithmonë kërkonim qiellin blu dhe diellin. Sot ne, dhe veçanërisht njerëzit në territoret e pushtuara përkohësisht, duke ngritur kokën, kërkojmë vetëm një gjë, flamurin e vendit tonë. Kjo do të thotë se heronjtë janë këtu. Kjo do të thotë se armiku është zhdukur, ata kanë ikur”.

Në një fjalim mbajtur mbrëmjen e së martës zoti Zelenski tha se ushtria e tij tani kishte çliruar rreth 8,000 km katrorë territor deri më tani, megjithëse Rusia ende mban nën kontroll rreth një të pestën e Ukrainës.

Presidenti ukrainas është zotuar të rimarrë të gjithë territorin ukrainas nga forcat ruse, duke përfshirë Krimenë, gadishullin e Detit të Zi të aneksuar nga Moska në 2014.