BE: Kosova dhe Serbia të shmangin interpretimet nxitëse rreth përdorimit të targave të makinave

Bashkimi Evropian tha të enjten se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga çdo veprim që mund të destabilizojë situatën edhe ashtu të brishtë, dhe çfarëdo sqarimi rreth interpretimeve për pajtimin rreth përdorimit të targave të makinave, ta trajtojnë në kuadër të bisedimeve.

Të mërkurën autoritetet në Kosovë thanë se Serbia ka shkelur pajtimin e arritur në muajin nëntor lidhur me përdorimin e targave të makinave, ndërsa autoritetet serbe akuzuan Kosovën për një gjë të tillë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se policia kufitare ka regjistruar raste të lëvizjes me makina me targat e lëshuara nga Serbia të ri-regjistruara në muajin dhjetor të vitit 2022. “Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese”, tha ai.

Zyrtarët serbë akuzuan Kosovën se po përpiqet të nxisë tensione të reja duke mos lejuar hyrjen e makinave më targa të lëshuara nga Serbia duke shkelur marrëveshjen e nëntorit.

Lexoni edhe këtë Kosova dhe Serbia me akuza të ndërsjella rreth pajtimit për targat e makinave

Më 23 nëntor shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se u arrit pajtimi që “Serbia të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me ri regjistrimin e makinave”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, tha të enjten se sipas pajtimit të arritur ne Bruksel, Kosova duhet të përmbahet nga çfarëdo veprimi ndaj atyre pronarëve që kanë targat KM dhe “të mbajë status quo-në derisa të mos arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog. Kjo, po ashtu, do të thotë që Serbia të mos lëshojë targa të reja me shkurtesën KM”.

Brukseli tha ai, e ka parasysh vendimin e Serbisë të datës 6 dhjetor 2022, “që letrat ngjitëse të regjistrimit për targat KM nuk do të ripërtërihen. Ne kuptojmë se ripërtëritja e sigurimit dhe kontrolli teknik ka të bëjë me makinat dhe jo targat e regjistrimit dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet ripërtëritje e targave”, tha zëdhënësi Stano.

Pajtimi rreth targave pasoi tensionet në veriun e Kosovës ku punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor. Tensionet vazhduan edhe gjatë dhjetorit dhe për rreth tri javë me radhë grupe serbësh mbajtën të bllokuara rrugët në veriun e vendit në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Rrugët e zhbllokuan më 29 dhjetor pasi autoritetet e dërguan ish policin në arrest shtëpie.

Të enjten, komandanti i forcave paqeruajtëse të drejtuara nga NATO-ja në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia tha se “situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është e qetë, por shumë e brishtë, e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme, për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura”.

Ai i bëri këto komente përgjatë takimit të Komitetit ushtarak të NATO-s, ku është diskutuar edhe për situatën në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it ritheksoi gatishmërinë e misionit të tij për të ndërhyrë në rast nevoje, ndërsa nënvizoi se “për aq kohë sa do të ketë rritje të tensioneve, pasiguria në mesin e popullatës shtihet. Një incident i vetëm rrezikon të dëmtojë arritjet e disa viteve në ndërtimin e paqes dhe sigurisë”.

Rreth 3 mijë e 700 trupa të KFOR-it kujdesen për sigurinë në Kosovë.

Me 6 janar forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, refuzuan kërkesën e Serbisë për kthimin e rreth një mijë trupave të saj në Kosovë.