Sfida më e madhe e Presidentit Vladimir Putin në më shumë se dy dekadat e tij në pushtet u shua, pasi komandanti i mercenarëve të grupit Wagner, i cili urdhëroi trupat e tij të marshonin drejt Moskës, papritmas arriti një marrëveshje me Kremlinin për të shkuar në Bjellorusi dhe urdhëroi trupat e tij të tërhiqen.
Your browser doesn’t support HTML5
Revolta e shkurtër, megjithatë, shpërfaqi dobësitë e forcave qeveritare ruse, ndërsa luftëtarët e grupit Wagner nën komandën e Yevgeny Prigozhinit arritën të lëviznin pa pengesa në qytetin rus të Rostov-on-Don dhe të përparonin qindra kilometra drejt Moskës. Ushtria ruse u vu në lëvizje për të mbrojtur kryeqytetin e Rusisë.
Sipas marrëveshjes së shpallur të shtunën nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, Prigozhini do të shkojë në Bjellorusinë fqinje, e cila ka mbështetur agresionin e Rusisë në Ukrainë. Akuzat kundër tij për kryengritje të armatosur do të rrëzohen.
Lexoni edhe këtë Kremlini thotë se udhëheqësi i grupit Wagner do të shkojë në BjellorusiQeveria tha gjithashtu se nuk do të ndjek penalisht luftëtarët e grupit Wagner që morën pjesë në rebelim, ndërsa atyre që nuk u bashkuan në kryengritje do t'u ofrohen kontrata nga ministria e Mbrojtjes. Prigozhini urdhëroi trupat e tij të kthehen në kampet e tyre fushore në Ukrainë, ku ata kanë luftuar së bashku me ushtarët e rregullt rusë.
Presidenti Putin u zotua të shtunën paradite të ndëshkonte ata që qëndronin pas kryengritjes së armatosur të udhëhequr nga favoriti i tij i dikurshëm. Në një fjalim televiziv drejtuar vendit, ai e quajti kryengritjen një "tradhti".
Lexoni edhe këtë Presidenti Putin i quan "tradhti” veprimet e grupit Wagner brenda RusisëLejimi i largimit të Prigozhinit dhe forcave të tij, tha zëdhënësi Peskov, ishte "qëllim më i lartë" i Putinit që "të shmangte gjakderdhjen dhe konfrontimin e brendshëm me pasoja të paparashikueshme".
Rreziku për Putinin është nëse ai do të shihet si i dobët, thonë analistët.
“Putini është dobësuar përgjithmonë nga kjo aferë”, tha për rrjetin CNN ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, John Herbst.
Moska u bë gati për përballje me forcat e grupit Wagner duke ngritur pika kontrolli me automjete të blinduara dhe trupa në pjesën jugore të qytetit. Rreth 3,000 ushtarë çeçenë u tërhoqën nga luftimet në Ukrainë dhe u nisën me nxitim atje herët të shtunën, njoftoi televizioni shtetëror në Çeçeni. Trupat ruse të armatosura me mitraloza vendosën pika kontrolli në periferinë jugore të Moskës, ndërsa pjesë të autostradave u dëmtuan për të ngadalësuar marshimin e mercenarëve.
Lexoni edhe këtë Masa të rrepta sigurie në MoskëTrupat Wagner përparuan rreth 200 kilometra nga Moska, sipas Prigozhinit. Por pasi u arrit marrëveshja, ai njoftoi se kishte vendosur të tërhiqej për të shmangur "gjakderdhjen”.
Prigozhini kishte kërkuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, të cilin e ka kritikuar prej kohësh me përçmim për drejtimin e luftës 16-mujore në Ukrainë. Të premten, ai akuzoi forcat nën komandën e ministrit Shoigu se sulmuan kampet e Wagner-it duke vrarë "një numër të madh të shokëve tanë".
Nëse Presidenti Putin do të pranonte pushimin e ministrit Shoigu, do të ishte politikisht e dëmshme për të, pasi ai e cilësoi Prigozhinin si një tradhtar që goditi me thikë pas shpine.
Shërbimet amerikane të zbulimit kishin informacione se Prigozhini kishte grumbulluar forcat e tij pranë kufirit me Rusinë për një kohë. Kjo bie ndesh me pretendimin e Prigozhinit se kryengritja e tij ishte përgjigje ndaj një sulmi mbi kampet e tij në Ukrainë të premten nga ushtria ruse.
Me shpalljen e kryengritjes, zoti Prigozhin akuzoi forcat ruse se sulmuan kampet e grupit Wagner në Ukrainë me raketa, helikopterë dhe artileri. Ai pretendoi se gjenerali Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm, urdhëroi sulmet pas një takimi me ministrin Shoigu, ku ata vendosën të shkatërronin grupin.
Ministria e Mbrojtjes mohoi të ketë sulmuar kampet.
Udhëheqësit e Kongresit u informuan për grumbullimin e trupave të grupit Wagner në fillim të javës së kaluar, tha një njohës i çështjes që foli për agjencinë e lajmeve "Associated Press" me kusht që të mos identifikohet. Njoftimi për informatat e zbulimit amerikan u raportua për herë të parë nga rrjeti CNN.
Një motiv i mundshëm për kryengritjen e Prigozhinit ishte kërkesa e ministrisë së Mbrojtjes, të cilën presidenti Putin e mbështeti, që kompanitë private të nënshkruanin kontrata me të deri më 1 korrik. Prigozhini kishte refuzuar ta bënte këtë.
"Është e mundur që ai goditi tani sepse e pa atë afat si një rrezik për kontrollin e trupave të tij", shkroi ambasadori Herbst në një artikull për Këshillin e Atlantikut.
Lexoni edhe këtë Mosmarrëveshjet mes drejtuesve rusë dëmtojnë operacionet ushtarake, ndoshta edhe kontrollin e PutinitTë shtunën herët, ushtria private e Prigozhinit u duk se kontrollonte shtabin ushtarak në Rostov-on-Don, një qytet rreth 1 mijë kilometra në jug të Moskës, prej nga drejtohen operacionet ruse në Ukrainë, tha ministria britanike e Mbrojtjes.
Mediat ruse raportuan se disa helikopterë dhe një aeroplan ushtarak u rrëzuan nga trupat Wagner. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka komentuar njoftimet.
Pasi marrëveshja uli tensionet, videot e postuara në rrjetet sociale ruse shfaqën njerëz që brohorisnin trupat e Wagnerit teksa largoheshin. Prigozhini udhëtonte me një fuoristradë të ndjekur nga një kamion ndërsa njerëzit e grumbulluar në rrugë e përshëndetën dhe disa vrapuan për t'i shtrënguar dorën. Guvernatori rajonal më vonë tha se të gjitha trupat ishin larguar nga qyteti.
Trupat dhe pajisjet e Wagnerit u panë gjithashtu në provincën Lipetsk, rreth 360 kilometra në jug të Moskës.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin e shpalli të hënën një ditë jo pune për shumicën e banorëve si pjesë e masave të shtuara të sigurisë, një masë që mbeti në fuqi edhe pas tërheqjes së Wagnerit.
Ukrainasit shpresonin se luftimet e brendshme ruse do të krijonin mundësi që ushtria e tyre të rimarrë territoret e pushtuara nga forcat ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën vonë, pak para se Prigozhini të shpallte tërheqjen e tij, se marshimi shfaqi dobësinë e Kremlinit dhe "u tregoi të gjithë banditëve, mercenarëve, oligarkëve rusë" se është e lehtë të kapësh qytetet ruse "dhe, ndoshta, arsenalet".
Trupat e Wagner-it kanë luajtur një rol vendimtar në luftën e Ukrainës, duke pushtuar qytetin lindor të Bakhmutit, një zonë ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme dhe më të gjata. Por Prigozhini e ka kritikuar gjithnjë e më shumë udhëheqjen e ushtrisë, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe për mungesë municionesh për trupat e tij.
Yevgeny Prigozhin 62 vjeçar, dikur i burgosur, ka lidhje të gjata me Presidentin Putin dhe ka fituar kontrata ushqimore fitimprurëse nga Kremlini që i dhanë nofkën "kuzhinieri i Putinit".
Ai dhe një duzinë shtetasish të tjerë rusë janë akuzuar në Shtetet e Bashkuara për një fushatë ndërhyrjeje para fitores së zotit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Wagneri ka dërguar kontraktorë ushtarakë në Libi, Siri, disa vende afrikane dhe në fund edhe në Ukrainë.