Rëndohet kriza në kufirin shqiptaro grek - një fëmijë humb jetën në një aksident

  • Raimond Kola

Një fëmijë 10 vjeçar humbi jetën nga goditja e një autoambulance në radhën kilometrike të shqiptarëve që kërkojnë të udhëtojnë drejt Greqisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Rëndohet kriza në kufirin shqiptaro grek - fëmija humb jetën në një aksident

Autoritetet spitalore në Gjirokastër i thanë "Zërit të Amerikës" se fëmija S.N.,10 vjeç, nga Lezha u dërgua i pajetë në spital gjatë orëve të paradites të së shtunës.

Policia e Gjirokastrës tha se “ngjarja ndodhi rreth orës 10:30, në aksin kombëtar Kakavije - Gjirokastër, në afërsi të kthesës së Bularatit, ku autoambulanca që po transportonte një shtetase të sëmurë për në spitalin rajonal Gjirokastër, përplasi për vdekje të miturin”.

Kriza e radhëve në kufirin shqiptaro grek është rënduar gjatë paradites së të shtunës pasi autoritetet greke e mbyllën sërish pikën kufitare te Kakavijës në orën 22 të mbrëmjes për ta hapur në orën 06 të mëngjesit.

Disa mijëra qytetarë shqiptarë e kaluan natën në kufi, ndërsa për mjaft prej familjeve situata po rëndohet pasi po i kalojnë 48 orët e qëndrimit në kufi në kushte mjaft të vështira, me temperatura mjaft të larta dhe mungesë të ushqimeve, ujit dhe kushteve higjieno sanitare.

Emergjencat civile dhe forcat e ushtrisë po ofrojnë ndihmë me ujë dhe ushqime prej mbrëmjes së të premtes, por nevojat e familjeve mbeten të mëdha, pasi radha e automjeteve është rreth 10 kilometra dhe mes udhëtarëve ka shumë të mitur e të moshuar.

Dyndja e emigrantëve shqiptarë drejt Greqisë hyri sot në ditën e tretë pasi autoritetet greke njoftuan masa shtrënguese që hyjnë në fuqi të dielën.

Lexoni edhe këtë

Qeveria  greke  masa të reja për koronavirusin në kufijtë me Shqipërinë

Ndër këto masa është kufizimi me 750 persona në ditë i hyrjes në Greqi, paraqitja e detyruar në kufi e analizës molekulare për "COVID 19", kryer në Shqipëri brenda harkut të 72 orëve, si dhe karantinimi për 7 ditë në Greqi.

Qytetarët shqiptarë u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të negociojnë me qeverinë greke për lehtësimin e këtyre masave, pasi ata e kanë të vështirë të sigurojnë analizat për COVID 19 dhe kërkojnë të paraqiten në vendet e punës në Greqi.