BE-ja do të vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë

Bashkimi Evropian do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë që mbahen më 6 tetor, duke e cilësuar këtë veprim dëshmi të përkushtimit ndaj proceseve demokratike në Kosovë.

Shefja e politikës së Jashtme të BE-së nw largim, Federica Mogherini ka emëruar anëtaren e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, shefe të Misionit Vëzhgues.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se "Kosova mbetet përparësi politike për BE-në dhe vendosja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve konfirmon angazhimin dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur procest demokratike në Kosovë”.

Ajo është shprehur e bindur se misioni do të ndihmojë mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe transparente.

“Këto zgjedhje zhvillohen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila duhet të lëvizë vendosmërisht për të përparuar në rrugën evropiane, në reforma dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë", citohet të ketë thënë zonja Mogherini.

Zgjedhjet e reja në Kosovë pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje partive politike që të krijojnë një mjedis të qetë e të sigurt për zgjedhjet e 6 tetorit dhe të shmangen keqpërdorimet e votës dhe frikësimet e kandidatëve dhe votuesve serbë të Kosovës që nuk ishin të rreshtuar me Listën Serbe në zgjedhjet e kaluara.

Lexoni edhe këtë Ambasadorët perëndimorë, thirrje për zgjedhje të rregullta në Kosovë

Diplomatët po ashtu presin formimin e shpejtë të një qeverie të re që do të ishte e gatshme të mënjanojë pengesat për vazhdimin e shpejtë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.