Qeveria e Kosovës, miratoi të hënën mbrëma kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.
Qeveria tha se diskutoi në mbledhje kërkesën e shtruar nga ministria e Brendshme dhe “e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”.
Autoritetet në Kosovë thanë të dielën se do të strehojnë refugjatë afganë, një kërkesë e bërë që më 16 korrik nga qeveria amerikane dhe se një grup punues i qeverisë po merret me çështjet organizative bashkë me partnerët amerikanë, por çështja ishte diskutuar siç u tha, në mirëbesim.
Lexoni edhe këtë Kosova e gatshme për strehimin e afganëveMë herët të hënën ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se është duke punuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan që të kthehen në shtëpi.
Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se deri në mesditën e së hënës, është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar.
Lexoni edhe këtë Prishtina angazhohet për evakuimin e shtetasve të Kosovës nga AfganistaniMinistria u bëri thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës në Afganistan që të lajmërohen për të marrë sa më parë udhëzimet dhe ndihmën e duhur.
Kjo ministri tha se mbetet e përkushtuar që së bashku me partnerët ndërkombëtar të ofrojë të gjitha mjetet në dispozicion deri në evakuimin e të gjithë shtetasve të Kosovës nga Afganistani.