Në Kosovë, qeveria synon që deri në fillim të javës së ardhshme të dërgojë në Parlament ligjin për arsimin e lartë në Kosovë, në përpjekje për të tejkaluar situatën në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht Universiteti publik i Prishtinës që është më i madhi dhe më i vjetri në Kosovë ka mbetur pa udhëheqësit më të lartë për shkak të valës së dorëheqjeve që pasuan disa ditë protestash të përshkuara edhe me përplasje të dhunshme.