Lidhje

Dekriminalizimi, Rama: Në vjeshtë ligji


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama premtoi sot se me ose pa dakortësinë e opoztës, shumica do të miratojë ligjin që pengon përfshirjen në politikë dhe në administratë të personave më një të kaluar kriminale. Në parlamentin shqiptar mendohet të ketë disa persona të tillë, dhe në raportin e tij të fundit Departamenti amerikan i Shtetit përmendi një deputet të dënuar për trafikim personash. Zoti Rama tha se deputetët e së majtës kanë qenë të gjithë me dëshmi të pastër penaliteti, një dokument i cili megjithatë nuk përmban të dhëna për të kaluarën e personit.

Shqipëri, elementët me të kaluar kriminale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

“Cështjen e rekordeve kriminale në politikë por dhe në administratë do ta trajtojmë ligjërisht. Dhe me sesionin e ri, ne do të kalojmë ligjin për të penguar të gjithë ata që kanë patur rekorde kriminale të gjykuara, jo të presupozuara, të kenë aktivitet politik apo të përfshihen në administratën publike, sipas, kuptohet, periudhave apo llojeve të krimit”. Ripohimi i këtij angazhimi të marrë edhe më parë, nga kryeministri Edi Rama, vjen pak ditë pasi cështja e personave me një të kaluar kriminale u rikthye si debat pas publikimit të raportit të departamentit amerikan të shtetit për Trafikimin e personave, ku vihej në dukje se një deputet I parlamentit aktual kishte qenë dënuar më parë pikërisht për këtë krim. Një ditë më pas ambasada amerikane e cilësoi të turpshëm këtë fakt.

Kryeministri Rama nga ana e tij foli për “një fenomen pa dyshim të padëshirueshëm”, por theksoi se “këtë histori nuk e ka sjellë viti 2013 por e ka sjellë përshkallëzimi i një procesi politik që për shumë arsye ka përfshirë njerëz që kanë patur problem me të shkuarën. Dhe ky përshkallëzim ka ardhur në vite”. Ai dhe një herë shpjegoi se për listat e kandidatëve për zgjedhjet e 2013 ai kishte kërkuar dëshminë e penalitetit, një dokument i cili në fakt nuk përmban të dhëna për të kaluarën e personit, duke nënvizuar se kushtetuta dhe ligji nuk kanë pengesa për raste të tilla.

Sipas tij, për të shmangur këtë fenomen është e nevojshme një ndërhyrje që të shkojë përtej dëshmisë së penalitetit, ndërsa këmbënguli se shumica do e miratojë ligjin e ri me ose pa mbështetjen e opozitës: “Do ta cojmë ne draftin dhe do e miratojmë me ose pa ata. Dhe do t’i japim fund debatit, dhe do të shmangim këtë fenomen nga e ardhmja. Pra në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen do të jetë i përballuar. Por ndërkohë qëllimi ynë është që ta shtrijmë dhe në administratën publike. Ju e keni parë, dalin e thonë jo ky ka qenë i dënuar, jo ky s’ka qenë. Dëshmia penale thotë Jo, por për funksione të caktuara duhet të shkojmë përtej dëshmisë penale”

Kjo cështje u trajtua nga kryeministri në përgjigje të pyetjeve gjatë një konference shtypi ku ai bëri një bilanc të vitit të dytë të qeverisjes së tij. Zoti Rama u ndal gjerësisht në cështjet ekonomike. Sipas tij modeli i ri po shfaq rezultatet e para dhe ekonomia ka vijuar tendencën e qëndrueshme pozitive, duke u shprehur se pritshmëritë mbeten për një rritje prej 3 përqind sipas parashikimit.

XS
SM
MD
LG