Lidhje

Pas shkatërrimit të Boko Haramit, nigerianët përpiqen të rindërtojnë jetën


Në dhjetor Presidenti nigerian Buhari u shpreh se Boko Harami kishte marrë fund. Kur ekipi i Zërit të Amerikës vizitoi pjesën verilindore të Nigerisë për të konfirmuar vërtetësinë e videove që kishte marrë mbi aktivitetin e kësaj organizate, ai pa nga afër shkatërrimet dhe koston humanitare të fushatës së Boko Haramit. Në pjesën e katërt dhe të fundit të ciklit special të Zërit të Amerikës mbi Boko Haramin ju sjellim zërat e të atyre që mbijetuan, dëshmitë e tmerrit që kanë parë dhe shpresat për një jetë të re. U kujtojmë shikuesve se pjesa përmban pamje tronditëse:

Gjatë shtatë vjetëve të terrorit të Boko Haramit miliona nigerianë kanë përjetuar vuajtje të papërshkrueshme. Por që nga pranvera e vitit të kaluar, një ofensivë e re e ushtrisë nigeriane sprapsi njësitë e organizatës terroriste duke çliruar qytete e fshatra në verilindje nga diktati brutal.

Dëshmi të tmerreve të Boko Haramit u dokumentuan nga vetë kamerat e organizatës: në 18 orë xhirime që disponohen tani ekskluzivisht nga Zëri i Amerikës, shihen rrahje publike, ekzekutime, gjymtime.

Zëri i Amerikës vizitoi zonat e çliruara vjet për të dëgjuar historitë e atyre që mbijetuan dhe kushtet e jetesës pas largimit të Boko Haramit.

Fillimisht Zëri i Amerikës ishte në Bama, qyteti i dytë për nga madhësia në shtetin verilindor, Borno. Para zaptimit nga Boko Harami në 2014, në këtë qytet jetonin 300 mijë vetë.

Bama ishte skenë e një prej mizorive më të rënda të Boko Haramit. Ekipi i Zërit të Amerikës flet me një të mbijetuar. Alhaji Madu është gjallë pasi arriti t’u shpëtojë nga duart ushtarëve të Boko Haramit. Ai tregon urën ku u ekzekutuan shumë prej banorëve.

“Kishin një kamion të mbushur me njerëz, të cilët i sollën këtu. Një nga një, i zbritën nga kamioni dhe dikush i qëllonte me plumb në kokë,” tregon Alhaji.

Vetëm brenda një pasditeje u vranë 200 vetë; trupat hidheshin në lum.

Tani në Bama rrugët janë të boshatisura, Boko Harami dogji shtëpitë para se të tërhiqej nga zona.

E njëjta pamje shkatërrimi mbizotëron edhe në qytete të tjera ku vitet e fundit sundonte Boko Harami. Deri kur të rindërtohet zona, banorët e kanë të pamundur të kthehen.

Në pjesën verilindore të Nigerisë, afro dy milionë vetë u detyruan të braktisin banesat nën terrorin e Boko Haramit. Disa prej tyre janë vendosur në banesat e të afërmve, por shumë të tjerë jetojnë në kampe refugjatësh.

Në këtë kamp në Bama jetojnë 27 mijë vetë në kushte të rënda nga furnizimi i pamjaftueshëm me ujë e ushqime. Refugjatë të rinj vazhdojnë të mbërrijnë çdo ditë.

Kjo vajzë e re ishte 14 vjeçe kur u rrëmbye nga Boko Harami dhe u mbajt në një kamp të organizatës në mes të pyllit. Atë e detyruan të martohej me një luftëtar të Boko Haramit.

Zëri i Amerikës u përpoq të vizitonte fshatin Kumshe, skenë e ekzekutimeve publike të Boko Haramit. Por megjithëse janë dëbuar luftëtarët e Boko Haramit, ushtria nuk lejon futjen në fshat pasi zona mbetet e rrezikshme.

Ekipi i Zërit të Amerikës viziton fshatin Damasak, i çliruar vetëm pak ditë më parë. Përveç një gruaje të moshuar, në fshat ka vetëm shkatërrim.

Gruaja tregon se fshati është boshatisur prej më shumë se një viti dhe se ajo jeton këtu e vetmuar pasi nuk kishte mundësi të largohej. Që jeta e saj dhe në përgjithësi jeta në Nigeri të kthehet në normalitet do të duhet shumë kohë.

Por ka edhe shenja shprese: në Mainok banorët po e rindërtojnë fshatin e tyre për të katërtën herë. Kryeplaku tregon se mbi 200 banorë u vranë këtu nga Boko Harami. Por tani, falë vendosjes së njësie ushtarake në zonë, banorët kanë filluar të rikthehen.

Në Maiduguri, qyteti më i madh i shtetit të Bornos, ku edhe ka lindur Boko Harami, guvernatori Kashim Shetima thotë se situata është përmirësuar shumë kohët e fundit:

“Megjithë shqetësimet që kemi kaluar, tani njerëzit mund të flenë më të qetë në Maiduguri”.

Sipas komandantëve ushtarakë, fushata kundër Boko Haramit po jep rezultat falë përmirësimeve në shërbimet e zbulimit dhe fushatës ajrore kundër bazave të organizatës.

Por rreziku është ende i pranishëm. Megjithëse është tërhequr nga shumë zona në Borno, Boko Harami vazhdon të ndërmarrë sulme vetëvrasëse. Mijëra civilë ende mbahen robër nga organizata, ndër ta edhe pjesa më e madhe e vajzave të shkollës në Chibok.

Mobilizimi i forcave qeveritare nigeriane e ka detyruar Boko Haramin të tërhiqet, por duhet ende kohë dhe përpjekje për një fitore të plotë mbi këtë organizatë terroriste.

XS
SM
MD
LG