Lidhje

Maqedoni, qeveria e re dhe zbatimi i reformave

  • Isak Ramadani

Qeveria e re e Maqedonisë që në ditët e para ka treguar angazhim për sjelljen e reformave të premtuara. Ndërkaq, një pjesë e analistëve mendojnë se pa marrë parasysh numrate ligjvënësve në parlament, qeveria mund të jetë e qëndrueshme, në varësi të ritmit të miratimit të reformave. Por, që të kthehet në rrugën e integrimeve Euro-atlantike, Maqedonisë, sipas analistëve, i duhet një zgjidhje e problemit të emrit.

Qeverinë e Zoran Zaevit e presin shumë sfida. Reformat e paralajmëruara kërkojnë angazhimin edhe të opozitës. Vendi është zhytur në borxhe; rreth 5 miliardë euro vetëm borxhi i jashtëm. Kryeministrit të ri i është thënë nga ish-kryeministri teknik se arka e shtetit nuk është bosh:

Emil Dimitriev i ka thënë se “gjendja e buxhetit është e qëndrueshme, jo gjithaq e ndritshme por as dramatike”, për të cilën kreu i qeverisë maqedonse duket se është qetësuar. “E dini se në fund të fundit gjithçka varet nga paratë”, thotë ai.

Në Shkup ka mendime se qeveria e zotit Zaev do të krijojë një atmosferë të relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike duke bërë fillimisht reforma në gjyqsorin e cilësuar si tejet të korruptuar dhe të varur politikisht. Nga gjyqësori i reformuar pritet zbardhja e një sërë rastesh të vlerësuara si të montuara, ku shpesh shqiptarët kanë marrë dënime të larta.

Qeveria e re e Maqedonisë ka vetëm 62 vota në parlament dhe kjo, në të shumtën e rasteve, i detyron ligjvënësit të jenë shumë të rregullt në punë. Një pjesë e analistëve vlerëson se megjithatë numrat në parlament nuk ndikojnë tek jetëgjatësia e qeverisë.

Analisti Sefer Tahiri mendon se çelësi kryesor për funksionimin e qeverisë do të jetë harmonizimi i pikave të programeve politike dhe zbatimi i tyre në praktikë. “Do të jetë me rëndësi edhe se sa qeveria do t’i përkushtoihet axhendës së integrimit euro-atlantik. Nëse ka një axhendë që Maqedoninë do ta anëtarësonte në Nato, të themi vitin e ardhshëm, unë mendoj se kësaj qeverie i garantohet edhe mandati katër vjeçar”, thotë z. Tahiri.

Për sa i përket rrugës euro-atlantike të vendit, ajo nuk mund të anashkalojë Athinën. Qeveria e re e Shkupit ka treguar gatishmëri për të biseduar lidhur me emrin e Maqedonisë, të kontestuar nga Greqia fqinje.

Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee sugjeron që Maqedonia t’i zgjidhë çështjet e hapura me vendet fqinje, përfshirë Greqinë:

Hoyt Yee në një intervistë të fundit dhënë Zërit të Amerikës thekson synimin e arritjes së marrëveshjeve nga ana e Maqedonisë të cilat do ta zhbllokonin rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.

Por, opozita e fuqishme maqedonase që tani ka nisur propagandën dhe akuzat ndaj pushtetit të ri se do të ndryshojë emrin dhe indetitetin e maqedonasve. VMRO-DPMNE, e cila e mbajti pushetin për gati 11 vjet ka krijuar një atmosferë dhe ndjenjë se rreziku i vendit vjen, përveç nga nacionalizimi shqiptar edhe nga pretendimet greke dhe sipas analistëve, një kompromis i mundshëm lidhur me çështjen e emrit, do të mund ta dëmtonte Lidhjen Social-Demokrate në zgjedhjet e pritshme vendore dhe në ato të përgjithshme të radhës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG