Lidhje

ODIHR: Zgjedhjet në Maqedoni i kontribuan përforcimit të procesit demokratik

  • Isak Ramadani

Misioni i vëzhguesve të ODIHR-it pranë OSBE-së i bëri të hënën vlerësimet e para për zgjedhjet e së dielës, duke i cilësuar ato pëgjithësisht si të qeta që i kontribuan përforcimit të procesit demokratik. Liritë themelore në fushatë në përgjithësi u respektuan, nënvizon ODIHR.

Megjithatë, Ambasadorja Audry Glover, shefe e misionit të IDIHR-it tha në një konferencë për mjetet e informimit se “mungoi transparenca në veprimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që mori një sërë vendimesh prapa dyerve të mbyllura dhe nuk i bëri publike ato në web faqen e saj, ashqu siç do të duhej”. Zonja Glover theksoi ndasitë politike në radhët e anëtarëve të këtij komisioni, ndërsa foli edhe për pretendimet e besueshme për blerje votash, për trysni dhe dhunë fizike në raste të izoluara.

ODIHR dhe vëzhguesit e Kongresit të Këshillit të Evropës theksojnë më tej se zgjedhjet u zhvilluan në një ambient konkurrues ku kandidatët kishin mundësi të zhvillojnë fushatë pa kufizime dhe ku përgjithësisht u respektuan liritë themelore të shprehjes.

Ndërkaq, vëzhguesit lanë të kuptohej se procesi u zhvillua në kuadër të standardeve ndërkombëtare dhe se u vërejt besimi i shtuar i votuesve në zgjedhje.

Zgjedhjet i vëzhguan edhe mbi pesë mijë përfaqësues të shoqërisë civile në Maqedoni, ndërsa vërejtjet e tyre për parregullsi nuk duket që ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka dalur fituese e zgjedhjeve vendore me 37 kryetarë të rinj komunash dhe mbi 415 mijë vota në shkallë vendi, ndërsa VMRO-DPMNE ka arritur të sigurojë fitoren vetëm në tre komuna në raundin e parë dhe gjithsej 350 mijë vota.

Prej partive shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar Kërçovën, ku Fatmir Dehari ishte kandidat i vetëm shqiptar dhe komunën rurale të Pllasnicës afër Kërçovës. Garuesit e BDI-së për kryetarë komunash do të shkojnë në balotazh në 13 komuna, Lëvzija Besa në tetë komuna, Aleanca për Shqiptarët në 5 komuna.

Lidhja Social Demokrate në këto zgjedhje ka arritur të sigurojë edhe shumicën në më shumë këshilla komunalë. Drejtuesi i saj thonë se fitorja është rezultat i reformave të pushtetit qendror brenda këtyre katër muajve.

Në Tetovë më 29 tetor do të rigarojnë Teuta Arifi e BDI-së dhe Bilall Kasami i lëvizjes Besa. Në Gostivar Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët me Nevzat Bejtën e BDI-së. Në Strugë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët përballet me Ramiz Merko i BDI-së, në Çair të Shkupit Visar Ganiu i BDI-së dhe Zeqirja Ibrahimi i Lëvizjes Besa. Në balotazh e fiton garën kandidati që mund të ketë vetëm një votë më shumë se tjetri.

Lidhja Social Demokrate, ndërkohë, ka fituar garën në komunën e Haraçinës pranë Shkupit, një vendbanim i banuar pothuaj tërësisht me shqiptarë, ku Milikije Halimi do të jetë në krye të pushtetit vendor për katër vitet e ardhëshme.

Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së gjatë festimit të mbrëmshëm në Shkup tha se komunat nuk do të drejtohen më nga “sherifë lokalë”, siç u shpreh ai, ndërsa premtoi angazhime dhe punë në vetëqeverisjen vendore për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se për kë kanë dhënë votën.

Drejtuesi opozitar Nikolla Gruevski u ankua për parregullsi të shumta, incidente, trysni e shnantazhe ndaj kandidatëve dhe votuesve, ndërkohë që paralajmëroi ankimime para organeve përkatëse.

Edhe Lëvizja “Besa” e ka cilësuar ditën e votimit si një proces të përshkuar me parregullsi dhe incidente, ndërkohë që të gjitha partitë shqiptare e konsiderojnë veten si fituese të zgjedhjeve të së dielës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG