Lidhje

Tiranë: Qeveria dhe opozita shkëmbyen replika mbi gjendjen e rendit


Opozita dhe qeveria shkëmbyen sot kritika dhe vlerësime të kundërta mbi veprimtarinë e policisë së shtetit.

Tiranë: Polemika mbi drogën në festën e policisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Në përvjetorin e krijimit të policisë shqiptare, kryetari i partisë demokratike të opozitës, Lulzim Basha, tha se forcat e rendit janë të kompromentuara dhe të tradhëtuara nga drejtuesit e tyre politikë të lidhur me botën e krimit.

“Shqipëria është në këtë gjendje, sepse Policia e Shtetit i është dorëzuar nga politika, nga pushteti i korruptuar i Edi Ramës, i Saimir Tahirit dhe drejtuesve të tjerë politikë të kësaj aleance me krimin, krimit dhe veprimtarisë kriminale. Shqipëria është kthyer në një zonë të lirë të krimit, si pjesë e paktit kriminal, midis Edi Ramës dhe atyre që e ndihmuan të vijë në pushtet me vota të blera, vota të shitura. Vettingu nga Fatmir Xhafa, apo Edi Rama, apo kjo shumicë e bërë njësh me krimin, është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë. Policia do të pastrohet, kur qeverisja të pastrohet nga politikanët e lidhur me krimin” – tha zoti Basha.

Por qeveria ka një vlerësim krejt të kundërt për punën e forcave të rendit.

Kryeministri Edi Rama tha në një ceremoni mbi përvjetorin e krijimit të policisë se ato kanë rilindur pas një gjendje amullie të trashëguar, ndërsa pritet përzgjedhje më e mirë edhe në radhët e saj.

“Në vitin 2017, Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Në vitin 2017, Shqipëria mbylli një plagë të vjetër, të thellë, e cila pati të gjitha ato infeksione që ne njohim. Sot, në 2018-ën, Shqipëria nuk ka as Lazarat, as lazaratër të shpërndarë në trupin e territorit të saj” – tha zoti Rama.

Në vitin 2017, Policia hoqi nga duart e organizatave kriminale mbi 40 milionë euro pasuri. Ndërkohë që 4 vite më parë, kjo shifër nuk kalonte 1 milionë euro.

Polemikat mes palëve mbi narkotikët dhe përfshirjen e policisë në këtë veprimtari kriminale po vazhdojnë dhe janë në qendër të ballafaqimit politik dhe fjalimeve publike.

Secila palë minimizon rezultatet e tjetrës, dhe i quan sulmet e ndërsjella të motivuara politikisht.

Ndërkohë ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri i qeverisë Rama 1 po hetohet mbi mundësinë e përzjerjes në këtë veprimtari kriminale.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje me prokurorë federalë për hetimet që po zhvillohen ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu tha pas një takimi me ministrin e ri Fatmir Xhafaj, se “çështja e zotit Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor”, dhe se “është ofruar mbështetja e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjencive të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës”.

Ish ministri i Brendshëm është nën hetim pasi dyshohet sipas prokurorisë, se ka patur lidhje me një grup narkotrafikantësh shqiptarë, pjesë e një organizate italo-shqiptare që dërgonte marijuanë drejt Italisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG