Lidhje

Maqedoni, reagime ndaj ligjit për gjuhët

  • Isak Ramadani

Pas miratimit të ligjit për gjuhët në Maqedoni janë shtuar reagimet e ndryshme nga qarqe që vlerësojnë se me avancimin e gjuhës shqipe rrezikohet sistemi unitar i vendit dhe vetë gjuha maqeonase. Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE dhe personalitete me pikëpamje konservatore i bëjnë thirrje presidentit të vendit që të mos e dekretojë ligjin e ri.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga parlamenti i Maqedonisë të enjten, ka nxitur reagime tek një pjesë e faktorëve politik konservativë maqedonas dhe tek disa personalitete publike, të cilët thonë se avancimi apo zyrtarizimi i gjuhës shqipe rrezikon sistemin unitar të Maqedonisë dhe vetë gjuhën maqedonase.

Këto qarqe i bëjnë thirrje presidentit Gjorgje Ivanov të mos e dekretojë ligjin e ri; Nga ana tjetër, të vetëdishëm për qëndrimet e parlaentit që në një rast të refuzimit nga presidenti, ligjvënësit do ta votonin ligjin në një lexim të tretë, pritjet e disa profesorëve maqedonas të universiteteve dhe analistëve propozitarë janë që Gjykata kushtetuese ta rrëzojë ligjin për gjuhët, i njohur në opinionin publik si ligji për gjuhën shqipe.

Ndërkaq, kryetar i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi shpjegon procedurat ligjore që do të pasonin refuzimin eventual të nënshkirmit të ligjit nga presidenti:

“Në aspekt hipotetik, nëse nuk ndodh brenda dhjetë ditëve, pas skadimit të atij afati, pra nëse nuk dekretohet, brenda një afati tjetër prej 30 ditësh ligji duhet t’i kthehet parlamentit që nënkupton vetëm aktin e votimit të sërishëm”, thotë ai.

Ndërkaq, ekspertët kanë mendime të ndryshme në lidhje me atë se a bëhet gjuhë zyrtare shqipja në Maqedoni apo bëhet vetëm avansimi i saj. Osman Kadriu i cili u emërua para tre ditësh gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, vlerëson:

“Që të sigurohet gjuha shqipe e barabartë me atë maqedonase në nivel të shtetit dhe jashtë tij, është e nevojshme të ketë paraprakisht ndërhyrje ndaj kushtetutës aktuale. Pa intervenim në kushtetutë nuk mund të parashikojmë dispozita të cilat do të ishin në kundërshtimme vetë kushtetutën”, shprehet eksperi i njohur ligjor.

Ligji u miratua nga 69 deputetë të shumicës parlamenatre dhe të partive opozitare shqiptare. Poashtu në një votim të dyfishtë nga ligjvënësit e komuniteteve të ndryshme nga maqedonasit, ligji mori mbi 96 përqind të votave.

Ligji, mes tjerash thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”, ndërsa në nenin vijues thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.

Gjuha shqipe do të ketë shtrirje të gjerë edhe në instituciont e lara shtetërore dhe publike, gjyqësore e vendore ku nuk përdorej deri më tani. Do të zërë vend edhe në uniformat e policisë dhe organeve të tjera shtetërore. Seancat e parlamentit do të mund të drejtohen në gjuhën shqipe kur kryetari ose kryesuesi të jetë shqiptarë, apo ministrat shqiptarë në qeveri të flasin në gjuhën e tyre amtare dhe vendimet e shkresat të jenë në të dy gjuhët, maqedonisht dhe shqip.

Zbatimi i ligjit nuk pritet të jetë i lehtë; nevojiten mjete financiare për këtë dhe punësimi i një numri të madh përkthyesish si dhe formimi i një agjencie që do ta kontrollonte dhe ndihmonte zbatimin e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG