Lidhje

Një artist nga Kosova në Uashington


Petrit Halilaj nga Kosova është një artist, interesat e të cilit ndërthuren mes natyrës, arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore. Kjo nuk është e rastit, sepse ai është rritur në një fshat me histori interesante. Fshati Runik fsheh pasuri arkeologjike, një kulturë e tërë e epokës së lashtë të Neolitit, që ende nuk është eksploruar plotësisht. Petriti ndodhet në Uashington prej disa muajsh, i ftuar nga Instituti Smithsonian për të bërë hulumtime.

Në Muzeun e Historisë së Natyrës në Uashington, shfaqet një dokumentar. Flitet për Runikun, fshatin e komunës Skënderaj, nëntoka e të cilit përmban objekte arkeologjike të epokës së Neolitit.

Një artist nga Kosova në Uashington
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:09 0:00

Është diçka që ka nxitur imagjinatën e Petrit Halilajt, i cili është rritur në Runik dhe ka realizuar dokumentarin.

“Mënyra se si ne si qytetarë jemi të lidhur me këto objekte, jo vetëm ato që ndodhen nëpër muzeume dhe ne nuk kemi mundësi t’i shohim, por edhe ato që i gjejmë në oborret tona, kur ndërtojmë shtëpi apo kur mbjellim patate dhe gërmojmë tokën, pra fakti që ne jemi në kontakt me to, na ka pasuruar shumë edhe imagjinatën se për çfarë është njerëzimi, ku jetojmë dhe kush jemi ne,” thotë Petrit Halilaj.

Petriti është fitues i disa çmimeve dhe vlerësimeve artistike. Punimet e tij të artit janë paraqitur në shumë ekspozita.

Mund të mos jetë dokumentari që jeni mësuar të shikoni zakonisht. Ai ka një format të ndryshëm dhe është realizuar me një kamerë amatore, që i filmon njerëzit fshehurazi, me qëllim që ata të tregojnë natyrshëm gjithçka dinë për objektet arkeologjike nga ky fshat i veçantë.

“Është një histori që vjen prej kohrave shumë të lashta por që është edhe shumë aktuale në jetën e përditshme dhe në identitetin e ri të shtetit të Kosovës.”

Një pjesë e artifakteve të zbuluara në Runik u dërguan në Beograd në vitin 1997 si pjesë e një ekspozite të madhe arkeologjike. Mbetën atje dhe nuk janë kthyer në vendin të cilit i takojnë. Njerëzit e fshatit i kujtojnë mirë disa prej objekteve.

Kuratori nga Firencja, Leonardo Bigazzia ka qenë në Runik me Petritin dhe ne deshëm të dëgjojmë mendimin e tij si specialist që vjen nga një vend me trashëgimi të pasur kulturore, siç është Italia:

“Ajo që më habiti ishte marrëdhënia që banorët kanë me këto objekte që ata i gjejnë vazhdimisht në bahçet e tyre. Mungesa e institucioneve dhe e një muzeu si dhe ndjesia se objektet, ashtu si shpendët, fluturojnë dhe nuk kthehen më, kanë lënë një hapësirë për imagjinatë prandaj njerëzit spekulojnë dhe krijojnë lloj-lloj mitesh, çka është diçka shumë e veçantë.”

Leonardo mendon se Runiku i Kosovës është një vend fare i pazakontë:

“Kur shkon atje, përfshihesh nga ideja se nën tokë ka diçka të jashtëzakonshme që nuk është gjetur ende.”

“Është e vështirë të përfytyrosh se si në një vend që nuk ka ndonjë histori të re, sepse gjithçka u shkatërrua gjatë luftës, pra si ka mundësi të ketë një marrëdhënie të tillë të rëndësishme me objekte të krijuara 8 mijë vjet më parë,” thotë Leonardo.

Petriti ka riprodhuar disa prej objekteve të humbura dhe i ka paraqitur në një formë artistike, si shpendë që lëvizin, takohen apo dashurohen. Është mënyra e tij për të shprehur nderimin dhe nostalgjinë për artifaktet që nuk janë më në Runik.

Joshua A. Bell është me profesion antropolog dhe sjell në Institutin Smithsonian njerëz nga e gjithë bota për t’u marrë me hulumtime në tema që ndërthurin natyrën dhe trashëgiminë kulturore.

Ai thotë se ky dokumentar dhe punime të tjera të Petritit e kualifikuan atë për të ardhur në këtë institucion të njohur të Amerikës, ku mund të vijë e të hulumtojë çdo njeri tjetër që ka ide interesante dhe plotëson kushtet.

“Ajo që është interesante në dokumentarin e Petritit është fakti se ai na jep historitë dhe rrëfimet që kanë mbetur të varrosura nën këmbët e njerëzve dhe që shfaqen nëpër kopshtet e tyre,” thotë Joshua Bell.

Një prej prokupimeve të Petritit është se artifaktet e Runikut në të kaluarën janë përdorur mjaft për interesa shtetërore dhe të identitetit kombëtar.

“Por mos të harrojmë se janë tema shumë të ndjeshme. Qëllimi është të krijohet një identitet i ri kombëtar ku të gjithë të kenë vend dhe kjo është më e vështira,” thotë Petriti.

“Kultura është për mua një prej instrumenteve që duhet të na ndihmojnë për ta kuptuar se ne të gjithë jemi pjesë të një shoqërie, jo vetëm një etni, një gjini ose një fe. Për fat të keq, në historinë e kaluar, jo gjithmonë institucionet kanë ditur ta përdorin potencialin që kultura u jep njerëzve”.

Petriti e kalon jetën mes Italisë, Kosovës dhe Gjermanisë, plus disa muaj këtu në Uashington, ku po merret me një kërkim që disa njerëzve mund t’u duket abstrakt:

“Ajo që po kërkoj në Smithsonian është marrëdhënia mes zogjve migrues dhe njerëzve si dhe ideja që zogjtë nuk rrinë kurrë në një vend por kalojnë kontinentet dhe oqeanet, e megjithatë janë të lirë nëse duan të kthehen.”

Petritit i intereson mjaft ky aspekt i natyrës dhe mban lidhje me qendrën për Zogjtë Migrues në Institutin Smithsonian.

“Unë vij nga një shtet si Kosova, i fundit në Europë prej nga ku nuk udhëton dot pa viza. Liria e lëvizjes është diçka që më preokupon jo vetëm mua por edhe gjithë qytetarët e Kosovës.”

Projekti i tij i ardhshëm do të jetë një ilustrim i idesë se sa e rëndësishme është liria e lëvizjes, për qytetarët e Kosovës dhe për njerëzit kudo në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG