Lidhje

BE, Tusk: Shqipëria meriton hapjen e bisedimeve


Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha sot në Tiranë se Shqipëria e meriton hapjen e bisedimeve për anëtarësim dhe se ajo çfarë ka arritur është mëse e mjaftueshme për këtë. Zoti Tusk megjithatë paralajmëroi se sfida e radhës është që të binden të gjitha vendet anëtare. Presidenti i Këshillit Europian nisi sot një tur në vendet e Balkanit në kuadër dhe të përgatitjeve të takimit të nivelit të Lartë të Sofjes më 17 maj mes udhëheqësve europianë dhe atyre të Ballkanit.

BE, Tusk: Shqipëria meriton hapjen e bisedimeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Rekomandimi nga ana e Komisionit europian javën e shkuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, tregon sipas Presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk se vendi “ka bërë përpjekje të mëdha e se po bëhet gati të nisë” atë që ai e cilësoi “një prej projektet më pozitive politike në historinë e vet”.

Presidenti Tusk ishte i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij për këtë proces kur tha gjatë deklaratës me kryeministrin shqiptar Edi Rama se “ajo çka keni bërë dhe dua të jem shumë i qartë, është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për anëtarësim, nuk ka asnjë dyshim. Nuk është vetëm thelbi i rekomandimit të Komisionit Europian, por është dhe opinioni im dhe nuk jam i vetëm në këtë dhe kjo është ajo çka besoj thellësisht”.

Megjithatë presidenti i Këshillit bëri gjithashtu të qartë se “një tjetër sfidë do të jetë që të binden të gjithë shtete anëtare të BE-së në qershor, për të nisur negociatat. Jam i vetëdijshëm që ky proces do t’i ngjajë më shumë një gare me pengesa sesa një autostradë, por nuk kam dyshim se integrimi i plotë mbetet fati ynë i përbashkët”.

Edhe për autoritetet shqiptare është e qartë se fjala e fundit nuk është thënë ende."Të gjithë shqiptarët presin me padurim të vazhdojnë në këtë rrugë dhe të kemi sa më parë të jetë e mundur, mbështetjen e plotë të të gjithë vendeve anëtare për këtë rekomandim”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama do të shkojë në Berlin ku pritet të takohet me kancelaren Angela Merkel. Gjermania duket se është se bashku me Francën mes vendeve të pavendosura. Vendimi i Berlinit, për Shqipërinë, në ndryshim nga vende të tjera, do të duhet të kalojë përmes parlamentit gjerman.

Në ndërkohë, do të organizohet dhe takimi i nivelit të lartë mes Bashkimit europian dhe Ballkanit perëndimor, më 17 maj në Sofje të Bullgarisë, dhe vizita në Ballkan e zotit Tusk lidhet dhe me përgatitjet për këtë takim i cili sic tha ai “duhet të rikonfirmojë perspektivën europiane të rajonit e duhet të përcaktojë mënyrat dhe mjetet për të përmirësuar lidhjet me dhe brenda rajonit”, sepse sic theksoi Presidenti i Këshillit Europian “për ta nxitur bashkëpunimin nuk është e nevojshme të pritet deri në zgjerimin e BE-së”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG