Lidhje

Ivanov nuk e nënshkruan vendimin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë


Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka bërë të ditur se nuk e nënshkruan vendimin e parlamentit për ratifikimin e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

“Nuk kam mandat që ta nënshkruaj vendimin. Një nga shtyllat e politikës sime të programit parazgjedhor ka qenë se nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues”, nënvizon Ivanov në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Çështja e emrit të Maqedonisë dhe referendumi i pritshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Ai thekson më tej se nuk pranon ide as propozime të cilat “do ta rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, veçoritë e kombit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin maqedonas të bashkëjetesës”.

Z. Ivanov thotë se marrëveshja me Greqinë nuk ka bazë kushtetuese:

se ligji për ratifikimin e marrëveshjes nuk është në përputhje me nenet 51, 118 dhe 119 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Ai vlerëson se marrëveshja e vë Maqedoninë në një pozitë të nënrenditur dhe të varur ndaj një shteti tjetër, përkatësisht ndaj Greqisë dhe kjo, sipas tij, “është e dënueshme me ligj prej më së paku pesë vjet burg për personin që e bën këtë vepër”.

Parlamenti i Maqedonisë para një jave e miratoi me 69 vota marrëveshjen e nënshkruar në rajonin e Prespës greke më 17 qershor nga ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov në praninë e kryeministrave të dy vendeve fqinje dhe të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe të OKB-së.

Pas këtij vendimi të presidentit maqedonas, parlamenti pritet ta miratojë për së dyti marrëveshjen, pa zhvilluar më debat dhe në një rast të tillë presidenti i vendit, sipas kushtetutës, detyrohet ta dekretojë vendimin.

Por, Ivanov ka treguar edhe më parë se nuk i përfillë detyrimet kushtetuese, siç ishte rasti me ligjin e gjuhëve që i mundësonte një shtrirje të gjerë përdorimit të gjuhës shqipe e që nuk mund të hyjë në fuqi pa nënshkrimin e presidentit.

Nga ana tjetër, qeveria ka paralajmëruar se do të organizojë referendumin në muajt shtator ose tetor ku qytetarët do të deklaroheshin në mbështetje ose jo të emrit Maqedonia e Veriut.

Debatet po zhvillohen mbi shkallën e pjesëmarrjes së votuesve në referendum. Dhe nese ai do të jetë i detyrueshëm ose obligativ, apo konsultativ. Në rastin e parë, rezultati i referendumit i detyron institucionet shtetërore që ta zbatojnë vendimin e dalë në referendum. Maqedonia ka rreth një milion e tetëqind mijë votues të regjistruar.

Analisti Sefer Tahiri mendon se autoritetet do ta bëjnë ashtu siç ka parlajmëruar kryeministri Zaev, që shkalla e daljes në referendum të jetë pesëdhjetë përqind:

SB: “Sipas dispozitave juridike në Maqedoni, referendumi do të jetë i suksesshëm nëse në të dalin së paku 50% e qytetarëve, plus një që do të thotë se në referendum duhet të dalin rreth 900 mijë vetë, nga të cilët duhet të votojnë rreth 450 mijë që mendoj se nuk është e parealizueshme edhepse ka dilema të shumta në opinionin publik maqedonas se vallë a do të jetë kjo e realizueshme”, thotë Tahiri.

Analisti vlerëson se referendumi është shumë i rëndësishëm jo vetëm për çështjen e emrit të vendit por edhe për proceset e integrimit euro-atlantik. Ndërkohë, ai mendon se shqiptarët do të kenë rolin kryesor në suksesin ose jo të rezultatit në referendum.

”Mendoj që nga referendumi i ardhshëm do të kemi një Maqedoni, e cila do t’i paraprijë proceseve të ardhëshme ku vendi do të jetë pjesë e një Ballkani Perëndimor më stabil, më të sigurtë, më demokratik dhe në të cilin sundon e drejta dhe ligji”, thotë analisti.

Partitë e koalicionit qeveritar kanë qëndrime të qarta në lidhje me referendumin, përkatësisht mbështesin emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare e kundërshton marrëveshjen dhe emrin e ri, por nuk ka marrë një vendim të prerë nëse do të thërrasë përkrahësit e saj për të dalë në referendum.

“Vallë si do të sillet VMRO-DPMNE-ja? Do të bojkotojë në mënyrë të heshtur? Do të marrë pjesë në referendum duke votuar kundër, ose do ta lë në vullnetin politik të qytetarëve që ata vetë të vendosin se si do të veprojnë... Unë mendoj se për t’iu shmangur izolimit ndërkombëtar VMRO-DPMNE-ja do t’u bëjë thirrje qytetarëve që ata vetë të deklarohen dhe të veprojnë si të duan”, thekson analisti Sefer Tahiri.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë dje se do të varet nga referendumi nëse do t’i dërgohet ftesë Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në organizatë. Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka kërkuar nga Franca që të mos e pengojnë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

Drejtues shtetërorë me ndikim dhe të organizatave ndërkombëtare kanë uruar kryeministrat Zaev dhe Tsipras për marrëveshjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG