Lidhje

Sullivan: SHBA mbështesin anëtarësimin e Shkupit në NATO, BE


Zëvendës-Sekretari amerikan i Shtetit, John Sullivan theksoi të martën në Shkup mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE. Ai tha se SHBA nuk befasohen nga përpjekjet ruse për të minuar synimet e Maqedonisë drejt NATO-s. “Qeveria ruse mund të ndërmarrë lloj-lloj aktivitetesh për interesat e saj që të minojë procesin”, tha zoti Sullivan.

Vizita e zotit Sullivan në Shkup shikohet si vazhdimësi e mbështetjes amerikane për synimet e vendit të vogël ballkanik drejt integrimeve Euro-atlantike.

Zv/Sekretari i Shtetit, John Sullivan në Shkup
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Por, Maqedonia së pari duhet të miratojë ato që shihen si kushte të përfshira në Marrëveshjen e Prespës me Greqinë fqinje.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do t’i lejonte Maqedonisë të anëtarësohej në NATO dhe në Bashkimin Evropian si Republika e Maqedonisë së Veriut, duke i kontribuar qëndrueshmërisë rajonale, sigurisë dhe mirëqenies, tha zoti Sullivan. “Ne jemi zotuar për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës Juglindore dhe Maqedonia, është pjesa kyçe e kësaj qëndrueshmërie,” tha zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.

Zoti Sullivan tha se kishte ardhur për të mbështetur në emër të Shteteve të Bashkuara “atë që qeveria dhe populli i Maqedonisë e dëshiron, e që është anëtarësimi në NATO dhe në BE”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara japin mbështetje por nuk i bëjnë trysni Maqedonisë dhe se këto janë vendime të marra nën drejtimin e guximshëm të kryeministrit maqedonas. Zoti Sullivan tha se nuk është sekret qëndrimi rus kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

“Qeveria ruse mund të ndërmarrë lloj-lloj aktivitetesh për interesat e saj që të minojë atë çka populli i Maqedonisë dhe qeveria e Maqedonisë kanë vendosur se është në interesin e këtij vendi”, tha zoti Sullivan. Ai ritheksoi qëndrimin amerikan për t’i qëndruar pranë Maqedonisë dhe tha se qeveria ruse do të përdorë mjete të ndryshme për ta minuar procesin, siç ka vepruar në pjesë të tjera të Evropës por edhe në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

“Ne do t’u ndihmojmë të tjerëve të cilët i japin mbështetje kësaj qeverie duke u përballur me ndikimin keqdashës rus në Maqedoni dhe gjetiu në rajon, në Evropë apo kudoqoftë që ka për qëllim minimin e proceseve legjitime demokratike të qeverive që kanë marrë vendime në interes të qytetarëve të tyre siç ka bërë Maqedonia”, tha Zëvendë-sekretari amerikan i Shtetit.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin amerikan. Ai e përshkroi nevojën e suksesit të Marrëveshjes së Prespës si një biletë për në NATO. Ndërsa, përfshirjen në proces të të gjithëve e cilësoi si garancia më serioze për suksesin e procesit të ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapnin rrugën vendit të tij drejt integrimeve. Ai tha se shpreson që jo vetëm tetë deputetët e grupit të ri nga VMRO-DPMNE-ja por edhe ligjvënës të tjerë do t’i votojnë ndryshimet e pritshme.

Zëvendës-Sekretari John Sullivan u prit edhe nga krerët më të lartë shtetërorë, Presidenti Ivanov dhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.

Zëvendës-Sekretari i shtetit foli më pas para studentëve në Universitetin shtetëror të Shkupit. Ai tha:

“Jemi këtu në një çast shumë të rëndësishëm për historinë e Maqedonisë, kur populli i saj ka zgjedhur të konfirmojë lidhjet e shtetit të tyre me Perëndimin. Siç diskutuam sot në mëngjes me kryeministrin Zaev, Marrëveshja e Prespës me Greqinë ishte një kompromis i vështirë; kërkoi kohë, durim dhe lidership të guximshëm”. Ai tha se dy shtetet arritën kompromisin për avancimin e synimeve strategjike për qëndrueshmëri më të madhe dhe mirëqenie në rajon, “qëllime që i bashkojnë miqtë tuaj në Amerikë dhe Evropë”.

“Duket sikur nga kompromiset palët ndjejnë se humbasin diçka. Unë e kuptoj se disa e ndjejnë fort këtë. Po ashtu e dimë se çështja ende nuk është e kryer, siç më thanë sot anëtarët e Parlamentit, mbeten ende disa hapa para se Marrëveshja të hyjë në fuqi. Sidoqoftë, SHBA e mirëpret anëtarësimin e Maqedonisë si aleatin e 30 në NATO, si Republika e Maqedonisë së Veriut. Vendimi për t’u bërë pjesë e NATO-s është zgjedhje sovrane e popullit të Maqedonisë dhe ne me entuziazëm e mbështesim këtë zgjedhje.”

Sullivan: SHBA të gatshme ta ndihmojnë Maqedoninë

“Ardhmëria e këtij vendi është e ndritur. Maqedonia është përpara realizimit të ëndrrës mbi dy dekadëshe. Se si do të shkojnë punët, varet nga ju dhe nga bashkëqytetarët tuaj. Por, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme që të ndihmojnë, pasi ju përgatiteni për të ndryshuar rrugën e historisë së vendit tuaj. Bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike në njëzet vitet e fundit. Konflikti i fuqive të mëdha është rikthyer në skenën botërore, ndërsa disa mund të thonë se ai asnjëherë nuk kishte përfunduar. Maqedonia është gjendur në shënjestër të përpjekjeve ruse për ta minuar pavarësinë e saj dhe penguar zgjedhjen demokratike të qytetarëve të Maqedonisë dhe të qytetarëve të shteteve të tjera në rajon, të cilët besojnë se e ardhmja e tyre lidhet me Perëndimin. Veç kësaj, vazhdojmë të ballafaqohemi me kërcënimet e terrorizmit si dhe të aktorëve të këqinj të cilët duan të pengojnë dhe

destabilizojnë sistemet demokratike. Për t’u shkaktuar hymbje atyre, duhen shtete të forta me themele të palëkundëshme demokratike, media të lira dhe tregje të lira.”

Për këtë vizion, tha zoti Sullivan, duhet që qytearët me krenari të ndërtojnë institucione të fuqishme dhe të kërkojnë llogaridhënie e transparencë nga ato institucione. Kjo do të thotë që qytetarët të refuzojnë të kthejnë kokën në anën e kundërt kur shohin korrupsion dhe abuzime.”

“Sot Maqedonia është shembull i bashkëpunimit dhe i guximit politik. Maqedonia mund të bëhet udhëheqëse në rajon dhe të veprojë si ndërmjetëse rajonale në konflikte të tjera. Ne po shohim që Maqedonia e ndan barrën e sigurisë sonë kolektive. Maqedonia është një partnere e fortë e koalicionit për ta mundur ISIS-in. Ushtarët tanë luftojnë guximshëm përkrah njëri tjetrit në Irak dhe në Afganistan. Vitin e fundit, mbi 600 trupa amerikane dhe të NATO-s janë stërvitur në poligonin ushtarak Krivollak të Maqedonisë; mbi një mijë ushtarë amerikanë do të marrin pjesë në stërvitjet me ushtarët e Maqedonisë në këtë vend”, tha zoti Sullivan.

Ndikimi i Rusisë në rajon

Ai iu kthye përsëri çështjes së ndikimit të Rusisë. “Ndikimi i saj keqdashës ka qenë në qendër të udhëtimit tim në rajon. Veprimet agresive të Rusisë kanë për synim të minojnë vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë. Rusia pengon sovranitetin kombëtar të shteteve në kufijt e saj perëndimorë. Rusia nuk është mike e shteteve të vogla. Vizioni i saj është neo-imperialist. Rusia ka ushtruar trysni ndaj zërave opozitarë brenda saj dhe është përpjekur të dobësojë institucionet demokratike nëpër Evropë. Siç kemi parë në Ngushticën Kerç, Rusia vazhdon ta shkelë sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Moska përpiqet të mohojë të drejtën e Maqedonisë për të përcaktuar të ardhmen e saj, në këtë rast, duke kundërshtuar zgjedhjen e popullit të Maqedonisë për t’iu bashkuar NATO-s. Për dallim, Shtetet e Bashuara qëndojnë përkrah Maqedonisë dhe në mbështetje të përcaktimit sovran të qytetarëve të saj për të ndjekur rrugën që çon drejt Perëndimit”, theksoi zyrtari amerikan.

“Fatmirësisht, - shtoi ai, - synimet tona rreshtohen me tuajat. Ne duam atë që doni ju dhe do të shikojmë gjeneratën e re të drejtuesve duke vazhduar punën e vështirë të pararëndësve tuaj për sigurinë, paqen dhe mirëqenien e shtetit tuaj. Një Maqedoni më e fuqishme bën një Ballkan perëndimor më të fuqishëm, një Evropë më të fuqishme dhe një Aleancë më të fuqishme Perëndimore”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG