Lidhje

Dhuna seksuale si armë e luftës - bisedë me ish presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga


“Dhuna seksuale si armë e luftës: një bisedë me ish presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, ishte tema e diskutimit që u zhvillua në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Zonja Jahjaga ishte ftuar të ndante me një audiencë të rinjsh universitarë historinë e dhunës seksuale në Kosovë dhe përpjekjet e saj disa vjeçare për evidentimin e këtyre rasteve dhe ndihmën ndaj viktimave. Takimin e ndoqi kolegia Laura Konda:

Përdhunimi është përdorur në mbarë botën si mjet për të mposhtur, demoralizuar, apo për të ndarë komunitete të tëra. Në Kosovë, sipas vlerësimeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ka patur rreth 20 mijë vetë, shumica gra, që u përdhunuan nga forcat serbe. Por çështja e përdhunimeve seksuale u mbajt e fshehtë, si një çështje tabu. U deshën disa vjet pas përfundimit të luftës, që shoqëria e Kosovës ta pranonte këtë formë të krimit të periudhës së luftës.

Jahjaga: Dhuna seksuale si armë e luftës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:30 0:00

Zonja Jahjaga u tregoi pjesëmarrëve në takim për eksperiencën e takimeve që ka patur me viktimat e dhunës seksuale. Ajo kujton se ishte në fillim të presidencës së saj, kur mori një telefonatë nga një viktimë e dhunës seksuale dhe që nga ai moment ajo mori një vendim: të bëhej zëri i këtyre viktimave, që shoqëria e shpesh edhe familja, i kishte lënë në harresë për shkak të stigmës.

“Pasi i takova, por edhe tani që po flas, kam emocione të mëdha, sepse ajo telefonatë më ndryshoi përgjithmonë jo vetëm si grua e atij vendi, por edhe si Presidente, që udhëhiqte zyrën më të lartë të vendit.…Pasi bisedova me 35 gra, me 350 të tjera, me 3 mijë të tjera gjatë periudhës kur isha presidente, këto takime më ndryshuan përgjithmonë”- tha zonja Jahjaga.

Ish Presidentja Atifete Jahjaga kujton se në përpjekjet për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale ajo fillimisht nuk gjeti mirëkuptimin e zyrtarëve dhe as të politikanëve të Kosovës, për shkak se viktimat e dhunës seksuale shiheshin si viktima të turpit; por ajo thotë se gjeti mbështetje tek disa organizata të grave në këtë rrugëtim të vështirë që kishte nisur. Ajo thotë se në saje të punës së palodhur të këtyre organizatave, u arrit që çështja e përdhunimeve gjatë luftës që diskutohej në Parlamentin e Kosovës, i cili miratoi edhe një ligj për ndihmë mjekësore dhe financiare ndaj viktimave të luftës. Në janar të vitit të kaluar këto gra filluan të marrin pension nga qeveria e Kosovës për vuajtjet e tyre.

Në përpjekjet për çështjen e viktimave të përdhunimeve seksuale, të cilën zonja Jahjaga e ka bërë një nga kauzat e fondacionit që ajo drejton, ish presidentja e Kosovës thotë se hapi i ardhshëm është pranimi i fajit dhe ndëshkimi fajtorëve.

Por zonja Jahjaga thotë se është për të ardhur keq që asnjë autor i përdhunimeve nuk ka dalë ende para drejtësisë, qoftë në Gjykatën e Kosovës, në Serbi, apo në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës…

Në përfundim të takimit zonja Hahjaga i tha Zërit të Amerikës se ndërsa më parë çështja e viktimave të përdhunimeve gjatë luftës ka qenë një stigmë, është pozitiv fakti, që sot shoqëria e Kosovës dhe institucionet e saj i pranojnë këto raste si krime të luftës:

Atifete Jahjaga: “Më parë ne i kemi mbuluar me vellon e turpit dhe kemi drejtuar gishtin ndaj atyre që janë viktima, në vend që të drejtojmë gishtin ndaj atyre të cilët kanë krye këto krime makabre. Por situata ka ndryshuar për mirë në këto vitet e fundit. Tanimë këto gra kanë njohjen ligjore si viktima të luftës. Nga shkurti i vitit të kaluar ka filluar procesi i verifikimit të stausit të tyre nga Komisioni Qeveritar që u garanton atyre një pension. Kemi punuar shumë për riintegrimin dhe risocializimin e tyre, si dhe fuqizimin ekonomik të viktimave. Por çfarë kemi ngecur dhe ende ngecim, është qasja në drejtësi.”

Zëri i Amerikës: A mendoni që kjo duhet të jetë një çështje diskutimesh në negociatat e Kosovës me Serbinë?

Atifete Jahjaga: “Absolutisht që po. Kjo patjetër që duhet të bëhet pjesë e procesit të dialogut, të normalizimit të marrëdhënieve; duhet të dalin para drejtësisë të gjithë autorët e këtyre veprave makabre, jo vetëm të grave të përdhunuara, por edhe për të viktimat e tjera të luftës… personat e zhdukur… Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e kryera.”

E pyetur lidhur me çështjet aktuale me të cilat përballet sot Kosova, si negociatat me Serbinë, ideja e shkëmbimit të territoreve, apo tarifat ndërshkimore që ka vendosur Prishtina, zonja Jahjaga nuk pranoi të pronocohej.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG